Kosovë: privatizohen edhe 18 ndërmarrje të reja

Prishtinë, 3 KORRIK 2003 – Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) ka shpallur dje listën e 18 ndërmarrjeve të reja që do t’i nënshtrohen procesit të privatizimit. Ky është grupi i dytë i ndërmarrjeve kosovare që do të hyjnë në këtë proces. Siç dihet, deri më tani janë ofruar gjashtë ndërmarrje për shitje dhe afati për t’i dorëzuar ofertat është data 14 korrik 2003. Ndërsa, për grupin e dytë ofertat mund të dorëzohen deri me datën 3 shtator 2003.

Lista e 18 ndërmarrjeve që hyjnë në grupin e dytë të privatizimit:

IMN “19 Qershori” (prodhues i tullave) në regjionin e Prishtinës. IMN 19 Qershori operon në sektorin e materialeve ndërtimore duke prodhuar dhe duke furnizuar këtë sektor me blloqe (tulla) me vrima.

“Plastika” (materiale plastike) në regjionin e Prishtinës. Plastika është i vetmi prodhues në Kosovë për prodhimet e materialeve industriale plastike nga ABS dhe PMMA.

ENG “Beton” (zhavor/rërë dhe beton) në regjionin e Gjilanit. ENG Betoni operon në sektorin e ndërtimit me makineri të rënda për ndërtim, për ndërtimin e rrugëve, prodhimin e betonit dhe shfrytëzimin e guroreve.

“Kosovaplast” (materiale ndërtimore dhe izoluese) në regjionin e Gjilanit. Kosovaplasti prodhon “polystyren të zgjerueshëm” që përdoret kryesisht për izolimin e ndërtesave dhe për paketime mbrojtëse.

“Silcapor” (prodhues i blloqeve) në regjionin e Gjilanit. Silcapor operon në sektorin e materialeve ndërtimore duke prodhuar blloqe ndërtimi dhe elemente betoni me porozitet të lartë.

“Mladost” (uzinë ngrirëse) në regjionin e Gjilanit. Mladosti është një objekt për ruajtjen në kushte të ftohta të mishit, pemëve, perimeve dhe akulloreve. Ka gjithashtu reparte përpunuese dhe paketuese për pemë dhe perime.

Fabrika e Betonit dhe Ndërtimtarisë “Kosova” – Mitrovicë (materiale ndërtimore) në regjionin e Mitrovicës. Kjo ndërmarrje ka një kapacitet prodhues prej 60 m3 beton në orë.

“Kombinati i Drurit” (prodhime druri) në regjionin e Pejës. Kombinati i drurit prodhon dyer druri, korniza dritaresh, mobilje dhe materiale për ndërtim.

Shtëpia e Mallrave “Lux” (shitje me pakicë) në regjionin e Mitrovicës. Kjo ndërmarrje është qendra tregtare kryesore në qendër të pjesës jugore të Mitrovicës, me mbi 100 qiraxhinj (lokale afariste).

IDGJ “Duhani” (duhan/cigare të fermentuara) në regjionin e Gjilanit. IDGJ Duhani përpunon dhe shet produkte të duhanit në tregun kosovar të shitjes me shumicë.

“Progresi” (shtypshkronjë) në regjionin e Mitrovicës. Progresi bënë shtypjen e materialeve të ndryshme, në volume të mëdha, duke përfshirë reklama, libra, gazeta dhe formularë.

IMB “Fabrika e Bukës” (ushqim) në regjionin e Mitrovicës. Ndërmarrja është furra e bukës më e madhe në pjesën jugore të Mitrovicës, me një kapacitet prej 10.000 bukë në ditë.

IMB “Mulliri i Grurit” (ushqim) në regjionin e Mitrovicës. Ndërmarrja është një nga dhjetë mullinjtë më të mirë të grurit në Kosovë dhe ka një kapacitet të lartë për ruajtjen e drithrave.

Konfeksioni “Trepça” (tekstile) në regjionin e Mitrovicës. Konfeksioni i Trepçës prodhon një spektër të gjerë veshjesh për punë dhe uniforma.

“Farmakos” (produkte të përgjithshme farmaceutike) në regjionin e Prizrenit. Farmakosi është i vetmi prodhues i produkteve të përgjithshme farmaceutike në Kosovë.

“Trofta” (fermë peshku dhe motel) në regjionin e Pejës. Trofta shumon, rrit dhe bën furnizimin me troftën e ujrave të ëmbla. Ka bazene peshkimi për publikun si dhe një restorant dhe një motel.

Hotel “Metohija” (hoteleri) në regjionin e Pejës. Hotel Metohija është hotel dhe restoran në qendër të Pejës.

Hotel “Adriatik” (hoteleri) në regjionin e Mitrovicës. Hotel Adriatiku është një nga hotelet më të mëdha në Mitrovicë, me mbi 50 dhoma.

ECIKS (K.D.)