Kosova drejtë procesit të stabilizim-asociimit në BE

PRISHTINË, 2 KORRIK 2003 – Përfaqësuesit e Komisionit Evropian së bashku me ata të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesit e administratës së UNMIK-ut, në ditën e dytë të takimit lidhur me Procesin e Asociim Stabilizimit të Kosovës me BE-në, kanë diskutuar për çështje të fushës së drejtësisë, për politikën në fushën e mediave, të telekomunikacionit dhe transportit. Në këtë takim u fol për progresin e bërë, për rekomandimet e mëparshme, të dhënat gjatë takimit të parë të mbajtur më 13 mars 2003, mbi principet themelore të demokracisë dhe sundimit të së drejtës, reformat thelbësore të ekonomisë së tregut dhe politikës energjetike.

“Ne kemi biseduar për shumë çështje teknike të rëndësishme për integrimet evropiane”, tha pas takimit drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian Rainhard Priebe. Çështja e pazgjidhur e statusit të Kosovës nuk e pengon që edhe ajo të jetë pjesë e integrimeve evropiane, tha Pribe. Kosova, tha ai, duhet të jetë më afër politikave dhe standardeve evropiane.

Balkanweb / ECIKS