Prishtinë, 8 janar 2004 – Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) gjatë bisedimeve me Qeverinë e Kosovës, Ministrinë e Punës, Odën Ekonomike dhe punëdhënësit ka arritur pajtimin që gjatë tre muajve të parë të këtij viti të bëhet nënshkrimi i kontratave kolektive për punëtorët e Kosovës.
Bahri Shabani, kryetari i BSPK-së, tha të martën se me kontratën kolektive të hartuar nga sindikata janë pajtuar shumica e organeve kompetente.
Ndërkohë çështja kryesore për përfundimin e nënshkrimit të kontratës kolektive ka mbetur njohja e stazhit për dhjetë vitet e kaluara gjatë kohës së largimit të punëtorëve nga puna nga organet e dhunshme serbe. Çështje tjetër e cila ende po diskutohet është mënyra e pjesëmarrjes së punëtorëve në procesin e privatizimit. “Ende nuk kemi mundur t’i definojmë këto çështje”, tha Shabani.
Kryesindikalisti kosovar thekson se marrëveshja kolektive do të plotësojë shumë vakuumin ligjor për të drejtat e punëtorëve, dhe me të do të përfitojnë punëtorët. Ai tha se do të krijohet mundësia për nënshkrimin e kontratave mbi marrëdhëniet në punë, e cila deri më tani nuk e ka ekzistuar, siç është mbrojtja në punë dhe siguri, por edhe beneficione të tjera, siç është mbrojtja shëndetësore, pushimet vjetore etj.
Nënshkrimi i kontratës kolektive me të cilën do të mbroheshin në mënyrë ligjore të drejtat e punëtorëve është prioriteti kryesor, i cili është përcaktuar nga BSPK-ja gjatë këtij viti.
ECIKS / Biznesi