Britania e Madhe përkrahë qeverinë shqiptare

Tiranë, 09 janar 2004 – Britania e Madhe premton përkrahje për qeverinë shqiptare. Kjo ndihmë do të ketë të bëjë me zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga zv/ambasadori i Britanisë së Madhe Joe Preston, në takimin që ka zhvilluar me ministrin e ri të Financave, Arben Malaj. “Qeveria e Britanisë së Madhe do të vazhdojë të mbështesë qeverinë shqiptare në procesin e asociim- stabilizimit dhe atë të integrimit euroatlantik”, ka deklaruar ambasadori.

Në emër të qeverisë britanike Preston ka premtuar mbështetje të plotë për vazhdimësinë dhe progresin e projekteve të bashkëpunimit midis departamentit për zhvillim ndërkombëtar dhe ministrisë së Financave.

Nga ana e tij ministri i Financave Arben Malaj, në emër të qeverisë shqiptare, ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e tij për forcimin dhe rritjen e bashkëpunimit në të ardhmen midis dy vendeve.

Burime zyrtare pranë Ministrisë së Financave pohojnë se Malaj dhe Preston biseduan edhe për asistencën që ofron departamenti për Zhvillim Ndërkombëtar, për Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik e Social, për asistencën teknike që ky institucion jep në fushën e buxhetit afatmesëm dhe vjetor, etj.

Zv/ambasadori i Britanisë së Madhe, Joe Preston, ka premtuar gjithashtu që qeveria britanike do të ndihmojë edhe në progresin e reformës në administratën tatimore.

ECIKS / BIZNESI