Prishtinë, 12 prill 2004 – Jetesa në Kosovë është bërë më e shtrenjtë se një vit më parë. Gjatë muajit shkurt të këtij vit çmimet e mallrave të konsumit kanë pësuar një rritje me 0,2 për qind krahasuar me janarin e 2004-ës dhe janë rritur me 1,8 për qind krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Këto janë të dhënat e fundit të Entit Statistikor të Kosovës (ESK). Ibish Asllani, shef i sektorit të statistikave të çmimeve në ESK, tha të mërkurën për “Biznesin” se në mes të muajit janar dhe shkurt nuk ka pasur lëvizje të çmimeve, por në krahasim me shkurtin e vitit 2003 qytetarët u ballafaquan me një rritje të çmimeve për 1,8 për qind.
Sipas tij, mund të vërehet një rritje e çmimeve te buka dhe drithërat 23,5 për qind, te perimet 6,2 për qind, pijet alkoolike dhe duhani për 9,3 për qind dhe te shërbimet për transport për 10,2 për qind.
Sipas të dhënave të ESK-së, rënie e çmimeve vërehet te pemët për 9,6 për qind, te sheqeri, reçeli, mjalti dhe ëmbëlsirat për 8,9 për qind, te vajrat dhe yndyrërat për 4,9 për qind, kafja, çaji dhe kakao për 3,3 për qind, mishi për 1,6 për qind, ndërsa çmimet e rrymës, gazit dhe karburantet tjera u rritën për 4,3 për qind.
ESK është agjenci ekzekutive e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Shërbimeve Publike (MSHP). Çmimet janë grumbulluar nga shtatë qendrat rajonale të Kosovës duke llogaritur përafërsisht 1500 çmime.
Rezultatet e ESK-së janë prezantuar bazuar në klasifikimin e konsumit individual sipas destinimit (COICOP), i cili është një standard ndërkombëtar për klasifikimin e konsumit privat të ekonomive familjare.
Buxheti i Kosovës për Entin e Statistikës për vitin 2004 është rreth 1,5 milionë euro, ku 700 mijë euro janë paraparë për përgatitjen e regjistrimit të popullsisë. Po ashtu buxheti i Kosovës dhe donatorët e ndryshëm për projekte të veçanta e financojnë entin. Një plan zhvillimor për sistemin statistikor është në rrugën e zhvillimit.
ECIKS / Biznesi