Kosovë: AER-i dhe SHBA-të donatorët kryesorë

Prishtinë, 12 prill 2004 – Agjencia Evropiane për Rindërtim (AER) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe gjatë vitit 2004 do të jenë donatorët kryesorë në Kosovë, thanë për media zyrtarë të Ministrisë për Ekonomi dhe Financa. Për vitin 2004 donatorët i kanë premtuar MEF-së donacione në vlerën e përgjithshme prej 187 milionë euro, ndërkaq deri më tani janë premtuar mjetet për projekte në vlerë 84 milionë euro.

Besnik Osmani, përgjegjës për donacione në MEF, tha të ejten se mjete të premtuara nga AER-i janë 66,28 milionë euro, nga Britania e Madhe 4,93 milionë, nga Zvicra 6,3 milionë dhe nga Suedia 6,86 milionë euro.

Shtetet e Bashkuara kanë premtuar mjete për Kosovën gjatë vitit 2004 në vlerë prej 62,8 milionë dollarë, ndërsa Finlanda ka premtuar 4 milionë euro.

Po ashtu, Bashkimi Evropian ka premtuar edhe 16 milionë euro ndihmë shtesë për Kosovën nga takimi i Selanikut. Këto mjete do të menaxhohen gjithashtu nga AER-i.

Përgjegjësi për donacione në Ministrinë e Financave tha se Britania e Madhe nga shuma e mjeteve të premtuara, 1,93 milionë euro, për shëndetësi dhe mirëqenie sociale do të shpenzojë në Kosovë 950 mijë euro, për shërbime publike, ekonomi dhe financa 0,36 milionë euro, 0,50 milionë euro do të jenë për qeverisje demokratike dhe shoqëri civile, etj.

Prej shumës së donacioneve nga Zvicra një pjesë e tyre do të shpenzohen për punësim, 1,57 milionë euro, për transport dhe infrastrukturë 0,14 milionë euro, për shëndetësi dhe mirëqenie sociale 0,63 milionë euro etj.

Donacionet nga Suedia do të shpenzohen për energji 2,58 milionë euro, për bujqësi rreth 1,23 milionë, për administratë lokale 1,46 milionë euro etj. Prej mjeteve të premtuara nga AER-i, për zhvillimin ekonomik të përgjithshëm janë destinuar 15 milionë euro, për administratën lokale rreth 18 milionë euro, për energjinë 8 milionë euro, për bujqësinë 4 milionë euro etj.

Fondet e donatorëve në Kosovë janë duke u zvogëluar në mënyrë drastike në vitin e pestë pas përfundimit të luftës. Qeveria ka kërkuar që zvogëlimi i donacioneve të bëhet në mënyrë graduale duke llogaritur nevojat për financimin e projekteve kapitale në Kosovë.

Buxheti i Kosovës për vitin 2004 (është 632 milionë euro), qind për qind financohet nga të hyrat vetjake të Kosovës, mirëpo ekziston një mungesë e fondeve për projekte kapitale, siç është energjetika, infrastruktura etj.

ECIKS / Biznesi