Shkup, 12 prill 2004 – “Ndërtimi i naftësjellësit Shqipëri-Maqedoni-Bullgari, i njohur si AMBO, do t’i sjellë Maqedonisë një fitim vjetor prej 20 deri më 30 milionë dollarësh dhe do të mundësojë punësime afatgjata dhe zhvillim të industrive tjera shoqëruese”, – deklaroi Ted Ferguson, kryetar i korporatës AMBO, i cili merr pjesë në Forumin e investimeve në energjetikë që mbahen në Panairin e Shkupit. Për ndërtimin e tërësishëm të naftësjellësit të nevojshme janë 1,2 miliardë dollarë dhe punimet do të nisin vitin e ardhshëm. Për 700 milionë dollarë tashmë është premtuar përkrahja e disa kompanive të rëndësishme të industrisë së naftës dhe të bankave të mëdha. Të ardhurat e tjera do të sigurohen nga investitorë privatë, ndërkaq do të kthehen me transportin e naftës, paralajmëroi Fergusoni. Kompania e naftës “Mobil Ekson” ka premtuar që naftën me çmim të lirë nga rajoni kaspik në Amerikë do të transportojë nëpërmjet AMBO-së. Ferguson theksoi se shumë banka dhe fondacione amerikane janë të përgatitura që të kreditojnë ndërtimin e AMBO-së. Fillimin e ndërtimit e bënë ende të paqartë vetëm naftësjellësi konkurrent Burgas-Aleksandropulos, nga Deti i Zi deri tek Deti Egje. “Çdo herë jam shprehur se nëse zgjidhet njëri, tjetri do të anulohet. Të tjerët thonë se ka naftë të mjaftueshme për të dy naftësjellësit. Unë mendoj se duhet të ndërtohet një, dhe ndoshta mbas 5 deri në 10 vjet të ndërtohet edhe një tjetër”, – tha Ted Ferguson, kryetar i AMBO-s.
Ferguson nuk pranoi se naftësjellësi konkurrent është në përparësi për shkak të lobimit të fuqishëm të Greqisë dhe Rusisë. “Vazhdimisht e dëgjojë një gjë të tillë, por nuk shoh asgjë. Sa herë keni shkruar apo dëgjuar se Rusia jep përkrahje dhe se kryetari Putin do të nënshkruajë marrëveshje ? Asgjë nuk është nënshkruar. Nuk kam parë përfaqësues të Burgas-Aleksandropullos të japë deklarata siç jap unë”, – shtoi Ferguson.
Përkundër përkrahjes financiare për fillimin e punimeve të projektit AMBO i rëndësishëm do të jetë edhe nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin ndërmjet Maqedonisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë, teksti i së cilës momentalisht harmonizohet. “Nëse nënshkruhet marrëveshja me projektin AMBO mund të paraqitemi para investuesve dhe të fillojë puna”, – theksoi Fergusoni. Ai pret që marrëveshja të nënshkruhet për dy muaj dhe pas kësaj menjëherë të fillojnë bisedimet me ndërmarrjet të cilat do të përfshihen në projekt. Nëse shkohet sipas asaj që është parashikuar, ndërtimi i naftësjellësit mund të fillojë në vitin 2005. Për përfundimin e tij Fergusoni konsideron se do të nevojiten 2,5 vjet. Në studimet e fizibilitetit afati i parashikuar për ndërtim është tre vjet. Me ndërtimin e këtij naftësjellësi parashihet që nafta e Kaspikut të bartet nga Deti i Zi deri në Detin Adriatik nëpërmjet Bullgarisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Nga Burgasi deri në Vlorë gjatësia e naftësjellësit do të jetë rreth 900 kilometër, prej të cilave 350 kalojnë nëpër Maqedoni. Duka kaluar nëpër Ballkan dhe jo si deri më tani nëpër Bosfor dhe Dardanelë, nafta deri tek tregu europian dhe amerikan do të arrijë më shpejt dhe më lirë. Maqedonia do të paguajë qira dhe do të mundet të furnizohet me naftë nga naftësjellësi.
ECIKS / Biznesi