Kosova rrezikon kthimin e dyfishtë të borxhit

Prishtinë, 17 shkurt 2007— Këshilltari për çështje ekonomike i kryetarit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Isa Mustafa, në një bisedë për KosovaLive theksoi se nëse institucionet vendore nuk i krijojnë instrumentet mbrojtëse pranë Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme, Kosova lehtë mund të përballet më rrezikun e kthimit të dyfishtë të borxhit të jashtëm. Ai tha se ndaj Kosovës me këtë rast do të paraqiten dy kreditorë, do të paraqitet kreditori burimor si kreditor sovran, i cili do të kërkojë kthimin e borxhit nga Qeveria e Kosovës, sipas marrëveshjes me Serbinë apo vendimit të arbitrit dhe ekziston mundësia të paraqitet edhe ndonjë bankë e Serbisë, me kërkesë pranë Dhomës Speciale të Gjykatës Supreme, gjë që do ta ngarkonte Kosovën dy herë me barrë të borxhit.

“Është një dallim në mes të borxhit sovran, i cili i takon borxhit të marrë nga kreditori origjinal dhe borxhit komercial, i cili është marrë si borxh nga një kreditor i jashtëm (Banka Botërore, Klubi i Parisit ose Klubi i Londrës), përmes ndonjë banke të Serbisë”, tha ai duke shtuar se me këtë rrezik të kthimit të dyfishtë të borxhit, Kosova mund të përballet nëse institucionet vendore nuk krijojnë instrumentet mbrojtëse pran Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës. Serbia ka nënshkruar marrëveshje me klubin e Parisit dhe të Londrës dhe me Bankën Botërore për rikonsolidimin e borxhit të jashtëm, me çka ka përfituar shlyerje të borxheve prej 66 për qind nga ana e klubit të Parisit dhe 62 për qind nga klubi i Londrës.

Në këtë shlyerje hyjnë edhe borxhet e Kosovës. Por, ekziston rreziku që bankat serbe të kërkojnë 100 % të këtij borxhi, si borxh komercial, ndërsa kreditorët origjinalë të kërkojnë 34 %, përkatësisht 38 % si borxh sovran. Për këtë, tha ai, institucionet e Kosovës kanë bërë vërejtje te ndërmjetësuesit ndërkombëtarë. Këshilltari për çështjet ekonomike i kryetarit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Isa Mustafa, i cili njëherësh është edhe anëtar i Ekipit Negociator të Kosovës, tha se përkundër faktit që Kosova ka shprehur gatishmërinë që t’i pranojë borxhet e jashtme, pala kosovare gjatë bisedimeve në Vjenë është deklaruar se nuk do të pranojë borxhet e jashtme, të cilat i përkasin periudhës kohore, në mes të viteve 1989–’99. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe kohore, Kosova “për shkak të okupimit nuk ka qenë në gjendje të menaxhojë me asetet, kurse kthimi i borxheve lidhet me asetet.

ECIKS / KosovaLive