Sektori minerar në Kosovë ka hyrë nën llupën e kompanive të huaja, bash në kohën kur gjendja ekonomike nuk po përmirësohet. Vetëm për hulumtimin e mineraleve metalike, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) u ka lëshuar licenca 21 kompanive. E fundit u licencua “Avrupa mineral Ltd.”, aksionare kryesore e kompanisë “Innomatik Exploration Kosovo L.L.C” te cilës gjithashtu u janë lëshuar disa licenca. Shfrytëzimi i të gjitha resurseve minerale, për 25 vjet, do t`i sillte Kosovës mbi 7.6 miliardë euro fitime. Ai gjithashtu do të mundësonte edhe krijimin e rreth 20 mijë vendeve të punës. Me gjasë, ky potencial që ka nëntoka kosovare shihet si shumë atraktiv për shumë kompani të huaja.
Licenca prej 21 sosh janë lëshuar kryesisht për hulumtime në zbulimin e minierave të reja. “Duhet të ju sqaroj se këto licenca janë të lëshuara në zonat që kryesisht nuk janë të hulumtuara më herët, dhe nëse hulumtimet rezultojnë me rezultate pozitive, atëherë mund të hapet ndonjë minierë”, thanë zyrtarë të KPMM-së. Sipas atyre, të gjitha këto hulumtime kryhen me kapital privat.
Kosova është e pasur me minerale të ndryshme, ku ndër kryesoret janë rezervat e linjitit të cilat renditen në vendin e pestë në botë për ka madhësia. Ky mineral ka rëndësi të jashtëzakonshme për vendin përshkak se përbën formën bazë dhe afat-gjate të furnizimit me energji. Përveç linjitit, rezervat e plumbit dhe zinkut janë diku rreth 48 milion tonë, ato të nikelit rreth 16 milion tonë, të kromit 89 milion tonë si dhe ato të boksitit rreth 13.2 milion tonë. Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa në të kaluarën që shfrytëzimi i këtyre burimeve të jetë i mundshëm nga kompanitë e huaja të cilat kanë qenë të interesuara të investojnë.
ECIKS / Telegrafi