Kosova në proces Stabilizim-Asociimi me EU

Prishtine, 14 qershor 2007 – Në Prishtinë u mbajt sot takimi i dytë në kuadër të Mekanizimit Përcjellës të Stabilizim-Asociimit, i cili u fokusua në qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit.

Në takim morën pjesë përfaqësuesit e Komisionit Evropian, Agjencisë për Integrime Evropiane të Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Drejtësisë, të Punëve të Brendshme, të Shërbimeve Publike, ministrisë për Vetëqeverisjes Lokale dhe Administratë, Agjencisë Evropiane për Rindërtim si dhe ata të UNMIK-ut.

Pjesëmarrësit diskutuan për reformat në administratën publike, gjyqësinë, politikat kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave, si dhe problemet e brendshme në Kosovë. Ndër temat e diskutuara ishin edhe reformat në administratën lokale dhe decentralizimi, shërbimi korrektues, të drejtat e punëtorëve dhe të sindikatave, krimi i organizuar dhe trafikimi i qenieve njerëzore.

Ky takim ka shërbyer edhe si një kontribuues i rëndësishëm për përgatitjen e raportit të rregullt mbi përparimin e Kosovës në vitin 2007, të cilën Komisioni Evropian do ta publikojë në vjeshtë.

ECIKS / RTK