Prishtinë, 30 nëntor 2004 – Administrata Tatimore e Kosovës është duke i bërë të gjitha përgatitjet që nga një janari i vitit të ardhshëm të aplikohen dy ligje të reja mbi tatimet: Ligji mbi të Ardhurat Personale dhe Ligji mbi të Ardhurat e Korporatës.
Drejtori i kësaj administrate, Mustafë Hasani, thotë se Ligji mbi të Ardhurat Personale do të jetë gjithpërfshirës:
“Deri tash janë tatimuar vetëm të hyrat nga pagat, ndërsa me ligjin e ri nuk do të jenë të tatueshme të gjitha të hyrat që krijohen nga individët. Për shembull do të aplikohet tatimi mbi intersat, tatimi i fitimit nga lojërat e fatit, pra të gjitha të hyrat që mund ta ngrisin të ardhurat e një individi do të jenë të tatueshme”.
Zoti Hasani thekson se në Ligjin mbi të Ardhurat Personale nuk do të ketë ndryshime në normat tatimore, sa i përket shkallës së tatimit prej 0 deri në 20, por ai veçon disa ndryshime mbi të hyrat e bizneseve.
“Ndryshime ka në të hyrat nga bizneset. Tre për qind do të jetë nga të hyrat e bizneseve me veprimtari tregtare, kurse 5 për qind nga të hyrat e bizneseve me veprimtari shërbyese. Është ngritur edhe norma tatimore e të hyrave nga qiraja qe deri tash ka qenë 3 për qind, kurse tash do të jetë 16 për qind netto”.
Ligji mbi të Ardhurat e Korporatave do të aplikohet për kompanitë e mëdha, për ndërmarrjet shoqërore, ndërmarrjet publike dhe për Organizatat Joqeveritare.
Në bazë të llogarive të para të Administratës Tatimore të Kosovës, për një vit të administrimit të aplikimit të këtyre dy ligjeve , buxheti i konsoliduar i Kosovës do të shtohet të paktën për 5 milionë euro.
Në bazë të Ligjit mbi të Ardhurat Personale do të aplikohet edhe tatimi mbi fitimet e kursimeve bankare. Drejtori i Kasabankës, Milazim Abazi, thotë se kjo mund t’i destimulojë qytetarët për të kursyer para në banka.
“Ligji mbi taksat tash do t’i tatimojë edhe të ardhurat nga intersat në kursime të qytetarëve dhe kjo mund t’i destimulojë qytetarët që t’i dërgojnë paratë në banka. Por, duke u tatimuar çdo e hyrë nga kamata për 20 për qind do t’i detyrojë bankat që të rrisin çmimin e kredive”.
Ndërsa, kryetari i Komisionit për Buxhet në Kuvendin e Kosovës Haki Shatri, thekson se pavarësisht prej vlerësimeve të subjekteve të sistemit bankar në Kosovë, aplikimi i këtyre ligjeve është në interes të përgjithshëm të qytetarëve.
“Aplikimi i tatimit në fitimin nga kursimet, vlerësohet nga sistemi bankar se mund të ketë ndikime negative në kuptimin e mobilizimit të kursimeve nga ana e bankave. Pra, njërëzit hezitojnë t’i çojnë paratë në banka, sepse nga të ardhurat nga kamatatat mund të paguajnë një pjesë të fitimit. Mirëpo efekti është pozitiv, në të gjitha aspektet, sidomos në ndërtimin e sistemit të përgjithshëm buxhetor në Kosovë”.
Zoti Shatri nuk saktësoi nëse këto dy ligje janë nënshkruar edhe nga përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, por ai shprehu bindjen se kjo nuk do të shkaktojë pengesë në zbatimin e tyre prej 1 janarit të vitit të ardhshëm.
ECIKS / Radio Kosova