AKM aksioner i të gjitha ndërmarrjeve publike

Prishtinë, 1 dhjetor 2004 – Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) do të ketë në çdo ndërmarrje publike një bord mbikëqyrës. Ky proces i instalimit të këtyre bordeve po bëhet në kuadër të korporatizimit të ndërmarrjeve publike. Ky bord, sipas zyrtarëve të AKM-së do të përbëhet nga kuadro jashtë ndërmarrjes dhe nuk ka kompetenca vendimmarrëse, por luan rolin e mbikëqyrësit dhe u raporton institucioneve të larta vetëqeverisëse.

Sipas AKM-së, qeverisja koorporative që është vendosur të instalohet në ndërmarrjet publike nënkupton aksionerin, bordet e drejtorëve dhe menaxhmentin e ndërmarrjes. Aksioneri, i cili për momentin është AKM-ja, do t’i japë përgjegjësi dhe kompetenca bordit të drejtorëve, si organ më i lartë në ndërmarrje, i cili edhe merr vendime strategjike për ndërmarrjen. Kurse bordi i drejtorëve, sipas AKM-së, do të ketë së paku 3 anëtarë dhe ata zgjidhen nga AKM-ja, kurse në të do të ketë edhe anëtarë vendorë.

Ndërkohë, ekzekutivi i vendit shpreh shqetësimin për këtë strukturë udhëheqëse, menaxhimin si dhe rolin e cunguar të bordit mbikëqyrës në procesin e korporatizimit. “Gjithashtu, përshkrimet e detyrave të bordit të drejtorëve të ndërmarrjeve dhe të bordit mbikëqyrës si dhe baza legale e veprimit dhe e zgjedhjes së këtyre bordeve le shumë hapesirë për përmirësim, si dhe për shpjegime më të plota dhe të detajuara profesionale”, thotë qeveria në komentet e saja.
Qeveria madje shpreh dyshim nëse AKM-ja e ka të drejtën për të kryer këtë proces të korporatizimit. Ajo thotë se në bazë të rregullores së UNMIK-ut 2002/12 neni 6, AKM-së i jipet autoritet i plotë për transformimin e ndërmarrjeve në korporata, mirëpo kjo bazë ligjore, sipas saj, është jo e plotë për t’u dhënë përgjigje procedurave dhe fazave të realizimit të këtij procesi.

Ajo shpreh brengosje për bashkëpunimin që do të ketë UNMIK-u dhe institucionet vendore në procesin e korporatizimit dhe kjo vjen pas përvojës jo të mirë me menaxhmentin e kaluar, problemeve dhe ballafaqimeve të mëdha që ndodhën në mes UNMIK-ut dhe institucioneve vendëse përsa i përket vazhdimit të një procesi gjithashtu të rëndësishëm-privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.

“Përkundër domosdoshmërisë së procesit të korporatizimit, ne si institucione të përkohshme vetëqeverisëse (IPVQ) shprehim dyshimin tonë për rolin e paqartë të IPVQ-ve në tërë këtë proces”, thotë qeveria e Kosovës në komentet e saja dërguar AKM-së.

ECIKS / Biznesi