Trepçë: Nis përgatitja e minierave për prodhim

Mitrovicë, 29 nëntor 2004 – Për herë të parë që nga paslufta në minierën e Trepçës në Stan Tërg është kryer minimi i minierave, që ka shënuar përgatitjet më serioze për rifillimin e prodhimit. Fjala është për fillimin e punëve në zgjerimin e korridorit për transportimin e mineraleve, që, sipas drejtuesve të AKM-së dhe atyre të minierës, së shpejti do të nisë së funksionuari nxjerrja e xeheve.

“Qëllimi i këtij minimi është hapja e minierës dhe përdorimi i mjeteve më moderne për prodhim. Para fundit të këtij viti planifikojmë të bëjmë minimin e vërtetë për të prodhuar xehe, por për këtë duhet patur leje”, tha Brown.

Ish-gjiganti Trepça gjatë viteve ‘80 ishte njëri nga bartësit kryesor të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Në këtë kompani ishin të punësuar mbi 12 mijë punëtorë, ndërsa pjesë të saj, përveç prodhimit të plumbit, zingut, arit dhe argjendit, ishin edhe disa fabrika në tërë Kosovën, siç ishte fabrika e baterive, shkritorja në Zveçan etj. Shumica e këtyre kapaciteteve nuk janë aktivizuar pas luftës, ndërsa një pjesë e punëtorëve (3 mijë) paguhen nga buxheti i qeverisë. Jasper Dick, drejtor menaxhues i AKM-së, thotë me këtë rast se ndonëse AKM-ja nuk qëndron mirë me çështjen e fondeve, ajo duke patur parasysh rëndësinë e rihapjes së Trepçës, është duke bërë çmos që prodhimi në minierën e Stan Tërgut të fillojë sa më shpejtë. “Mungesa e rregulloreve për miniera ka qenë një prej pengesave që na ka vonuar në këtë aspekt, por ne shpresojmë se PSSP-ja do të nënshkruajë rregulloret sa më shpejt, sepse ato janë shumë të rëndësishme për Trepçën dhe Feronikelin”, tha Dick.

Në anën tjetër, drejtori i Departamentit të Minierave dhe Mineraleve në AKM, Rainer Hengstmann, foli për çështjet më të rëndësishme për rifillimin e prodhimit në minerë, e që sipas tij, janë përgatitjet e bëra teknike, largimi i ujit nga miniera dhe çështja e përdorimit të eksplozivit, që sipas tij, është rregulluar ashtu që sistemi i përdorimit të eksplozivit të përcillet përmes satelitit, për çfarë është përgjegjës KFOR-i. “Nuk e di sa do të zgjasë, ndoshta ndonjë muaj dhe këtë e di bordi drejtues, por jemi në pozitën ku mund të themi se do të mund të fillojmë prodhimin në Trepçë”, tha Hengstman.

ECIKS / Biznesi