Kosova kërkon pjesëmarrje në forumin ekonomik të Vjenës

Zv/kryeministrja e Kosovës dhe ministrja e MTI-së, Mimoza Kusari-Lila priti të enjten presidentin e Vienna Economic Forum, Dr. Erhard Busek, ambasadorin e Austrisë në Kosove, Johan Brieger, dhe kryetarin e Nismës Ekonomike për Kosovën (ECIKS), Kujtim Dobruna.

Në takim u diskutua rreth organizimit të pjesëmarrjes së Kosovës në Forumin Ekonomik të Vjenës, që do të mbahet në nëntor të këtij viti. Kusari-Lila tha se qeveria dhe ministria që e drejton ajo janë të interesuara për pjesëmarrje të vendit tonë në këtë forum me qëllim të rritjes së mundësive për tërheqjen e investimeve të huaja në Kosove si dhe promovimin e bizneseve tona jashtë.

Ministrja prezantoi edhe reformat që janë duke u ndërmarrë nga MTI-ja për transformimin e Kosovës në një vend më tërheqës për investitorë dhe më të përshtatshëm për biznes. Erhard Busek ndërkaq theksoi rëndësinë e vendosjes së listës së prioriteteve për investime në Kosove gjatë pjesëmarrjes në këtë forum.

Forumi Ekonomik i Vjenës mbahet me qëllim të promovimit të investimeve të huaja direkte në regjionin e Ballkanit dhe më tej.

ECIKS / Koha