Prishtinë – Me ftesë të ministres së Energjisë dhe Minierave (MEM), Justina Shiroka-Pula, të hënën në Republikën e Kosovës do të arrijë për një vizitë treditore Genc Ruli, ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë i Republikës së Shqipërisë. Gjatë vizitës në Kosovë, Ruli do të ketë takime të ndara me zv. kryeministrat e Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi e Ramë Manaj, ministren e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula, ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, dhe ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, njofton Zyra për informim e MEM-it.
Ndërkaq pjesë e agjendës së tij është edhe nënshkrimi i Memorandumit të bashkëpunimit ndërshtetëror në energjetikë. Në kuadër të qëndrimit në Kosovë, ministri Ruli do të vizitojë disa vende të rëndësishme historike, si Kompleksin Memorial të Jasharëve në Prekaz dhe Lidhjen e Prizrenit.
Ruli do të arrijë në vendin tonë në orët e mbrëmjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ndërkaq takimet zyrtare do t’i fillojë të martën në mëngjes. Shqipëria dhe Kosova për një kohë të gjatë kanë një bashkëpunim mes vete në shkëmbimin e energjisë elektrike, në kohën kur njëra nga këto dyja shtete ka krizë të furnizimit.
Kohaditore / Kosovalive