Tiranë – Shqipëria është duke e ndërtuar parkun e parë të mullinjve që do prodhojë rrymë nga era dhe ka në plan që ta eksportojë atë në Itali. Dy kompanitë, “Moncada Construzioni” e Italisë dhe “Enpower Albania”, qëndrojnë prapa këtij projekti, i cili ka kapacitete gjeneruese prej 500 megavatësh.
Prodhimi i rrymës pritet të nisë në vitin 2010. Energjia do të bartet përmes një kablloje të rrymës që do zgjatet nga porti shqiptar i Vlorës deri në Brindizi të Italisë, nën një thellësi detare prej 825 metrash.
“Në të ardhmen e afërt, kjo kabllo do të mund të bartë tërë importin e energjisë që do të prodhohet në parqet e tjera të energjisë së ripërtëritshme që kemi ndërmend t’i ndërtojmë në tokën shqiptare”, thuhet në një njoftim për media, të lëshuar nga “Moncada Construzioni”. Në gusht, Qeveria shqiptare aprovoi vendimin për të lejuar shfrytëzimin e pyjeve dhe rrafshinave në rajonin e Vlorës për të ndërtuar parqe për prodhimin e energjisë me erë.
Ekspertët thonë se potenciale për zhvillimin e projekteve të ngjashme ekzistojnë edhe në disa lokacione të tjera në Shqipëri, sidomos në lugina përgjatë bregdetit dhe nëpër male. Autoriteti Rregullator i Energjisë tashmë u ka lëshuar licenca disa kompanive të interesuara për ta zhvilluar këtë potencial. Vitin e kaluar, licenca e parë iu nda kompanisë “Hera”, e cila ka ndërmend që ta ndërtojë një park mullinjsh ere në rajonin e Kapshticës dhe Bilishtit, në juglindje të Shqipërisë, me kapacitet prej 150 megavatësh. Projekti do të kushtojë 240 milionë euro.
Malet e Terpanit pranë qytetit jugor të Beratit janë një rajon tjetër i planifikuar për zhvillimin e energjisë së erës. Investimet për këtë projekt vlerësohet të arrijnë në 460 milionë euro, me kapacitete të instaluara prej 225 megavatësh.
“Italgest”, një kompani energjetike italiane, ka propozuar ndërtimin e një ferme të mullinjve të erës pranë Kryevidhit, 50 kilometra larg Tiranës. Kjo fermë do të kishte kapacitete gjeneruese prej 150 megavatësh, ndërsa investimet e kompanisë do të arrinin në 202 milionë euro.
Koha Ditore / SEE Times