Kosova e interesuar për investimet greke

Prishtinë, 7 prill – Një grup afaristësh grekë kanë shprehur të martën interesimin e tyre për të investuar në Kosovë. Përfaqësues të biznesit helen gjatë forumit biznesor greko-kosovar të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Zyra Ndërlidhëse e Greqisë në Prishtinë kanë thënë se ata janë të interesuar që të krijojnë biznese të përbashkëta me kosovarët, ndërsa sipas tyre Greqia është vendi, bashkëpunimi me të cilin e sjell Kosovën më afër Bashkimit Evropian.

Në forum, pjesëmarrës ishin 56 biznesmenë grekë të fushave të ndryshme si ndërtimtaria, logjistika, industria e ushqimit dhe pijeve, tekstili etj. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova është një vend që premton zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe siguri për kapitalin privat. Sipas tij, pavarësia e Kosovës ka hapur rrugë të reja dhe të sigurta për zhvillim dhe integrim politik e ekonomik të Kosovës në botë.

Ai ka thënë se vlerëson vendimin e autoriteteve greke për krijimin e kushteve për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës përmes pranimit të pasaportave të Kosovës. “Një hap i tillë hap rrugën për bashkëpunimin e ndërsjellë në mes të të dyja vendeve”, tha Thaçi. Ai i ftoi afaristët grekë që të bëhen pjesë e investimeve të jashtme në projektet që ka nisur Kosova, si investimet në resurset natyrore, projektet për zhvillimin e infrastrukturës në fushën e energjetikës dhe asaj rrugore dhe projekte të tjera. Aktualisht importi i mallrave nga Greqia është rreth 50 milionë euro, eksporti rreth 10 milionë euro, ndërkohë që në Kosovë operojnë rreth 36 biznese greke.

Shefi i Zyrës së Greqisë në Kosovë, Dimitris Moschopoulos, tha se përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike me Kosovën është një ndër prioritetet e Qeverisë greke dhe sipas tij bashkëpunimi në mes të afaristëve të të dyja vendeve i hap rrugë këtij bashkëpunimi. Duke rikujtuar se Greqia ka njohur pasaportat e Kosovës dhe targat KS, ai tha se çështjet apo problemet, të cilat “nuk janë zgjidhur në mes të dyja vendeve nuk duhet të pengojnë zhvillimin e kontakteve, ndërmjet dy vendeve”. “Organizimi i Forumit ka rëndësi të veçantë, sepse mundëson inicimin e kontakteve dhe njohjen më për së afërmi me ambientin kosovar”, tha ai.

Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Greqisë Veriore, Vassilios Thomaidis, tha se investimet greke do të duhej të ishin portë për të hyrë në BE për Kosovën. “Nuk kemi nevojë të flasim vetëm për investime të mëdha, edhe një investim sado i vogël qoftë edhe hapja e një biznesi grek në Kosovë për ne është shenjë e forcimit të marrëdhënieve të përbashkëta në mes të të dyja vendeve”, ka thënë Thomaidis, për të shtuar se interesimi i bizneseve greke është që të gjejnë partnerë afaristë në Kosovë.

Sekretari i përgjithshëm për marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare në Republikën e Greqisë, Nikolaos Tachisos, tha se problemet, të cilat mund të ekzistojnë duhet të lehtësohen, prandaj sipas tij duhet gjetur formula për të ecur përpara.

Biznesmenët ishin më shumë të interesuar për krijimin e një tregu më të madh për plasmanin e produkteve të tyre, sidomos për kapërcimin e vështirësive, të cilat paraqiten si pasojë e burokracisë. Në pyetjen e një afaristi kosovar se sa mund t’u ofrojë Greqia bizneseve kosovare lehtësi për transportimin e mallrave të tyre në këtë vend, shefi i Zyrës greke, Moschopoulos, ka thënë se lehtësitë e para janë krijuar me lejimin e kamionëve që mbajnë targa KS të bartin mallin e tyre në Greqi. Sipas tij, pas kesaj problemet e tjera do të mund të zgjidhen më lehtë.

Ndërsa, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, tha se roli i Qeverisë së Kosovë në bashkëpunimin e dyanshëm është që të hapë perspektiva, t’i tejkalojë barrierat burokratike dhe fizike dhe të hapë mundësi për afaristët. Shala tha se qeveria së shpejti pret të dalë me ide për lehtësime në sektorin e bujqësisë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, ndërkaq tha se Kosova është shumë e interesuar që të tërheqë investime direkte të huaja. Sipas tij vendi ofron shumë përparësi përfshirë këtu edhe regjistrimin më të shpejtë të bizneseve nga të gjitha vendet e rajonit.

“Çështjet politike nuk do të ndikojnë në ardhjen e investitorëve grekë në Kosovë”, u tha ai afaristëve, për të shuar se me gjithë faktin që Kosova ende nuk është pranuar nga Greqia, ky shtet ka njohur pasaportat e Kosovës.

Marrur nga Koha Ditore