Prishtinë, 24 Nëntor – Së shpejti në shumë vende të botës do të ulen avionët me logon “Kosova Airlines”. Ministri i Transporteve dhe postë-telekomunikacioneve Zef Morina njoftoi në Prishtinë se më 7 dhjetor do bëhet inagurimi i fluturimeve të avionëve me këtë emër. Njoftimi është bërë dje në Prishtinë në një konferencë për shtyp nga ana e ministrit kosovar Morina.
Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me UNMIK organizoi disa muaj më parë një tender në të cilin kërkohej një kompani ajrore që do të krijonte “Kosova Airlines”. Kontrata është nënshkruar me fituesin e tenderit që është kompania Hamburg International, e cila arriti të zgjidhet në mes 5 kompanive të tjera pjesmarrëse në tender.
Ministri kosovar Morina në konferencën e djeshme për shtyp u shpreh se inagurimi i logos do të bëhet pas shtyrjes disamujore të zbatimit të kontratës së nënshkruar me kompaninë gjermane të fluturimeve. Vendosja e kësaj linje ajrore vjen pas krijimit të disa strukturave të veçanta ekonomike në Kosovë. Një prej tyre është edhe kompania e celularëve në Kosovë, “Vala 900”. Ndërkohë që qeveria e Kosovës ka kërkuar rinisjen e procesit të privatizimeve në Kosovë në mënyrë që të kompesohen edhe dëmet e shkaktuara nga kjo vonesë e këtij procesi. Pas datës 7 dhjetor me nisjen e fluturimeve të “Kosova Airlines” ka shumë gjasa që avionët me këtë logo të shfaqen edhe në Tiranë në areoportin “Nënë Tereza”.
ECIKS / Gazeta Shqiptare