“Kosova Airlines” fluturon me 28 tetor

PRISHTINË – Pas shumë zvarritjeve që arsyetoheshin me pamundësinë e nënshkrimit të kontratës, fluturimi i parë i “Kosova Airlines” i paraparë për 15 qershor, pritet të bëhet në fund të tetorit të këtij viti. Këtë lajm e kanë konfirmuar zyrtarët e Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, të Ministrisë së Transporteve dhe Telekomunikacionit si dhe aksionari i kompanisë fituese të tenderit “Hamburg International”, z. Remzi Ejupi.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Transporteve deklaruan pas takimit të përbashkët të së mërkurës, se kompanisë “Hamburg International” nuk do t’i përcaktohet ndonjë datë e veçantë për fillimin e fluturimeve, por asaj do t’i ofrohen kushtet që kjo të bëhet sa më parë. Në ndërkohë Shtylla e Katërt i ka dorëzuar fituesit të tenderit kontratën për vlerësim dhe nëse nuk do të ketë vërejtje të mëdha, pritet që ajo të nënshkruhet në fillim të shtatorit.

Aeroplani i parë i “Kosova Airlines” pritet të fluturojë me fillimin e sezonës dimërore, me datën 28 tetor. Fluturimi i parë do të bëhet për në Zvicër, ndërsa linjat tjera do të vendosen gradualisht. Pronari i “Eurokohës” dhe njëherësh njëri ndër aksionarët kryesor të “Kosova Airlines” ka paralajmëruar mundësinë që në bashkëpunim me Aeroportin e Tiranës së shpejti të vendosen edhe linjat përtej Atlantikut, për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me fillimin e fluturimeve të kompanisë së parë kosovare “Kosova Airlines” pritet që çmimet e transportit të udhëtarëve dhe të mallrave përmes ajrit të zvogëlohen dukshëm në krahasim me nivelin aktual.

ECIKS (K. D.)

This website uses cookies to improve its performance and the relations with its audience. For more information on data protection see our Privacy Policy.