“Kontrata nuk garanton përpunimin e nikelit në Drenas”

Në vend se të marrin vendim për ose kundër nënshkrimit të kontratës së privatizimit, në mbledhjen e bordit është vendosur për formimin e bordit drejtues të Ferronikelit.

“Në këtë bord do të marrin pjesë një përfaqësues i punëtorëve nga sindikata, AKM, MEM dhe një nga Komuna e Drenasit.

Këta do ta drejtojnë Ferronikelin, derisa prona të transferohet të blerësi”, tha Dugolli.

Telenovelës së privatizimit të njërës nga ndërmarrjet më të mëdha të vendit, Ferronikeli, si duket nuk është duke i ardhur fundi. Mbledhja e së enjtes e Bordit të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM) dëshmoi se çështja e privatizimit të Ferronikelit do të vazhdojë të stërzgjatet.

Hulumtimi i prejardhjes së parave dhe biznesit të IMR/Alferon nga organet e drejtësisë nuk u është dorëzuar ende anëtarëve të Bordit të AKM. Edhe përkundër kësaj, në mbledhje është diskutuar për pikat e kontratës për shitjen e Ferronikelit.

Zëvendëskryetari i bordit dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli, tha se shumë shpejt pritet të nënshkruhet aneksi i parë i kontratës me blerësin e Ferronikelit.

“Presim që skeletin e kontratës me fituesin e tenderit për Ferronikelin ta nënshkruajmë këtë muaj, ndërsa anekset tjera më vonë. Neve na nevojitet edhe pak ditë, derisa të përfundojë kontrolli i hetimeve sidomos kur kemi të bëjë me një kompani e cila ka të shtrirë aktivitetin e vet në shtatë shtete”, tha Dugolli.

Anëtarët vendorë kundërshtuan një pikë të kontratës, e cila ka të bëjë me përpunimin e xehes. “Është një pikë e kontratës e cila nuk është definuar mirë në tender dhe që ka mbet diskutabile. Anëtarët vendor të bordit kanë kërkuar që lënda e parë të përpunohet vetëm në Drenas jo diku tjetër dhe ne këtë e mbrojmë me ngulm”, tha zëvendëskryetari i bordit dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli.

Anëtari tjetër vendor i bordit, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, i tha Expressit se arsyeja kryesore për mosmarrje të vendimit për Ferronikelin është moskompletimi i dokumentacionit përkatës.

“Arsyeja pse nuk është marrë ende vendimi për Ferronikelin është se ende nuk është kompletuar dokumentacioni përkatës, nuk janë bërë përgatitjet për tekstin e kontratës dhe ka disa gjëra të tjera për t’u harmonizuar”, tha Shatri.

Sipas tij, pritet që këto procedura të kryhen dhe të rregullohet teksti i përgjithshëm i kontratës, i cili ka mbetur pa u përfunduar dhe për këtë duhet të harmonizohen disa gjëra në tekst.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, është i bindur se brenda 10 ditëve do të përgatitet dokumenti fillestar i kontratës, nëse Shtylla I e UNMIK një dokument me të cilin vlerësohet se afarizmi i kompanisë fituese të tenderit për Ferronikelin nuk është i dyshimtë.

“Nëse e marrim nga shtylla e parë e UNMIK një dokument i cili na dëshmon se afarizmi i blerësit nuk është i dyshimtë, pritet që brenda 10 ditëve m’u përgatit një dokument fillestar për t’u nënshkruar dhe me rend do të vazhdojnë të përgatiten dokumentet tjera për t’u nënshkruar me radhë”, shprehet Shatri.

Ministri Shatri tha se në mbledhjen e Bordit të AKM nuk është biseduar për pakënaqësitë e punëtorëve, të komunave dhe sindikatës, të cilët kundërshtojnë blerjen e Ferronikelit nga kompania IMR/Alferon.

“Ne nuk dimë për ato dhe nuk jemi kompetentë me i vlerësu ato gjëra. Në bazë të Rezolutës 1244, AKM menaxhon pronat shoqërore dhe i privatizon ato”, tha shkurt ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri.

Mirëpo, ana tjetër e taborit që nga zgjedhja e IMR/Alferon si blerës i përkohshëm i Ferronikelit nga AKM, ka bërë protesta në mënyra të ndryshme. Kryetari i Këshillit Organizativ të protestave dhe nënkryetar i Komunës së Drenasit, Gani Halilaj i tha Express: “Qëllimet tona janë të njëjta që Alferon është i papranueshëm dhe kërkojmë që të bëhet ritenderimi.

Gjithashtu ne e refuzojmë kategorikisht kërkesën e Kirk Adams për të hyrë në bordin drejtues të Ferronikelit”, tha Halilaj.

Sipas tij, tri ditë më parë KOP ka diskutuar rreth suspendimit të drejtorit të Ferronikelit, Murat Meha.

“Ne e kemi prit me indinjatë të madhe ndërrimin e drejtorit që në një farë forme ky largim ka qenë i pakuptimtë dhe për ne çdo kush tjetër që do të vijë në vend të tij do të jetë e papranueshme”, tha Halilaj i nervozuar.

Mirëpo, edhe pse ky largim nuk i ka kënaqur punëtorët dhe KOP, këta të fundit nuk kanë kërkuar asnjë sqarim nga AKM për largimin e Murat Mehës nga detyra e drejtorit të Ferronikelit.

“Nuk kemi kërku sepse nuk na kanë informu për këtë”, tha Halilaj. Ai tha se KOP ende nuk ka vendosur për marrjen e masave tjera nëse nënshkruhet kontrata me Alferon.

“Do të ju informojmë për të gjitha masat, nëse nënshkruhet kontrata. Kjo është një lojë që do të jetë lojë me dy komunat dhe lojë me qytetarët e Drenasit dhe Drenicës.

Ata i masin hesapet e veta, mirëpo kjo për ne është e papranueshme”, tha Gani Halilaj , kryetar i Këshillit Organizativ të protestave dhe nënkryetar i Komunës së Drenasit.

Express është përpjekur që të kontaktojë edhe zyrtarët e AKM, mirëpo këta të fundit kanë kundërshtuar të japin më shumë detaje të tjera.

“Këto janë thënë në një konferencë për shtyp dhe këto mund t’i merrni nga zyra për media”, tha shkurt një zyrtar i AKM.

Marrë nga Gazeta Express, 15 tetor 2005

Autor Kushtrim Ahmeti