Prishtinë, 17 tetor 2005 – Vitin e ardhshëm, kapacitetet e ujit të pijshëm të Kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, do të shtohen edhe për 100 litra ujë në sekond. Kjo do të arrihet me ndërtimin e 5 puseve të reja në lagjen Kolovica të Prishtinës, ku edhe filluan punimet sot. Investimet fillestare në shumë 200 mijë euro i siguroi Kompania Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, ndërsa i tërë projekti do të kushtojë 2 milionë euro.
Sot filluan punimet hidrogjeologjike për hulumtimin e ujit, mu në hapësirën, në të cilën deri në vitin 1983 ekzistonin dhe funksiononin 3 puse, tashmë tërësisht të shkatërruara. Shpëtim Lajçi, asistent i drejtorit të Kompanisë “Prishtina”, thotë se sasia e ujit që do të sigurohet nga këto puse, mund t’i furnizojë afro 40 mijë banorë. Kryerjen e punimeve rreth hapjes së puseve të reja në Kolovicë, po e ndihmojnë edhe pjesëtarë të TMK-së dhe të KFOR-it.
ECIKS / RTKLive