Kontrabanda përgjysmon importin e cigareve

Importi i cigareve ra nga 500 tonë për muaj në 200 tonë. Importuesit e cigareve thanë se është duke u rritur në mënyrë enorme kontrabanda e cigareve që vjen nga të gjitha shtetet e rajonit. Shërbimi Doganor i UNMIK nuk di gjë. Buxheti i Kosovës humbi së paku 25 milionë euro këtë vit

Prishtinë, 9 dhjetor 2005 – Në Kosovë hynë përgjysmë cigare më pak sesa viteve të kaluara. Përderisa importi mujor i cigareve që kalonte nëpër terminalet doganore gjatë viteve të kaluara ishte 350-500 tonë në muaj, tashmë ai ka rënë në 200 tonë.
Rritja e akcizës së cigareve nga dy në gjashtë euro, prej saj në dhjetë euro e më pas në 17 euro për kilogram, duket se ka ndikuar që të rritet dukshëm kontrabanda e cigareve. Çdo rritje e akcizës ka rezultuar me zvogëlimin e sasisë së cigareve të importuara, sasi kjo që tashmë është mbi dyfish më pak. Pasi që nuk vërehet ndonjë braktisje e tymosjes së cigares nga kosovarët, dyshohet për një rritje enorme të kontrabandës.

Për 6 muajt e fundit të vitit të kaluar në Kosovë kanë hyrë nëpërmes doganave 18.6 milionë kilogramë cigare në një mesatare prej 3000 tonësh në muaj. Ishte koha kur akciza e cigareve ishte 10 euro. Por importi i cigareve ka shënuar rënie edhe më të madhe gjatë këtij viti. Për afro 11 muaj janë importuar 22.8 milionë kilogramë cigare, që paraqet një mesatare prej 200 tonë në muaj. Rënia e importit solli automatikisht edhe rënie të te hyrave doganore nga zhdoganimi i cigareve. Në vlerën totale të taksave të paguara ku hyrë taksa doganore, akciza dhe VSH, pas rritjes prej 70 për qind të akcizës në maj të këtij viti shihet se ka vetëm rënie të tyre. Për gjashtë muajt e fundit, aq sa kanë mundur të ofrojnë shifra zyrtarët e doganave, janë mbledhur 23.5 milionë euro. Për 11 muajt e këtij viti (deri më 22 nëntor) janë mbledhur 38 milionë euro. Po të mos binte importi deri më 22 nëntor, është dashur të mblidheshin të paktën 50 milionë euro.

Besim Govori, drejtor i kompanisë importuese të cigareve Kosova Tobacco, mjaft i shqetësuar tha se sivjet importon 40 për qind më pak se vitin e kaluar, sepse ka rënë shitja.

Ai tha se shitja e cigareve ka rënë si pasojë e rritjes së kontrabandës që po vjen nga të gjitha anët.

“Neve na ka ra shitja për 40 për qind dhe problemi është kontrabanda. Këtu s’ka kush të respektojë rregullat. Këtu janë njerëz të cilët bëjnë shaka me këto çështje dhe ata kanë përgjegjësi. Të gjitha këto parregullsi shkojnë në dëm të Kosovës, në dëm të buxhetit dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës,” tha Govori.

Ndërkohë, në Shërbimin Doganor të UNMIK-ut nuk e dinë se kontrabanda e cigareve është duke u rritur në mënyrë enorme.

“Nuk e përjashtojmë mundësinë se në Kosovë mund të ketë kontrabandë të cigareve. Por, sikur të dinim për kontrabandë, do ta ndalnim atë,”, tha për Express Bashkim Arifi, zëdhënës i SHD të UNMIK.
Ai rënien e importit e lidh me faktin se Kosova ka shërbyer si vend transit i cigareve për shkak të akcizës së vogël. “Cigaren në Kosovë e kanë lënë shumë veta edhe për shkak të varfërisë,” tha Arifi.

Ndryshe mendon importuesi i cigareve. “Cigaren në Kosovë mund ta kenë lënë 2 persona e 5 të tjerë ia kanë nisur,” tha si me shaka Govori. Sipas tij, cigaret e kontrabanduara në Kosovë janë duke hyrë si nga Serbia dhe Mali i Zi, ashtu edhe nga Maqedonia, Shqipëria, madje edhe nga Bullgaria.

“Shkojnë grupe të ndryshme të qytetarëve, të cilët marrin cigare në sasi të vogla. Por, grupi prej 200 personash arrin të sjellë sasi të mëdha. Kjo ndodh veçanërisht nga Bullgaria, ku akciza e cigareve është shumë më e ulët se këtu,” tha Govori.

Kontrabandën e cigareve janë duke e ndihmuar edhe Free Shop-et e krijuar nga Mali i Zi në kufi me Kosovën. Për në Kosovë gjithashtu kontrabandojnë edhe qytetarët nga Serbia, të cilët gjatë vikendeve ia mësyjnë Kosovës me sasi të vogla të cigareve që bashkërisht sërish arrijnë të sjellin mjaft cigare.

Rol të konsiderueshëm në rritjen e nivelit të kontrabandës së cigareve është duke luajtur edhe KFOR. Nga dyqanet e hapura ekskluzivisht për ushtarët e KFOR, tash e 6 vite janë duke dalë cigare pa kontroll sidomos të markës Marlboro që kushtojnë 2 euro në treg dhe asnjë nga to s’ka as banderola.

Shërbimi Doganor është në dijeni të plotë të këtij fenomeni, por nuk ka ndërmarrë asgjë serioze në këtë drejtim. “Cigaret që gjenden në tregun kosovar pa banderola, kemi informata të sakta se janë destinuar paraprakisht për kontingjentet ushtarake të KFOR-it,” ka thënë Ekrem Hajdari, përgjegjës për luftimin e kontrabandës, në një intervistë të dhënë për Express.

Kosova gjatë viteve të kaluara kishte shërbyer edhe si rieksportues për shkak të nivelit të ulët të akcizës. Por, në një konferencë ndërballkanike që ishte mbajtur para dy vitesh në Prishtinë, ministrat e financave të vendeve të Ballkanit ishin pajtuar për nivelizimin e akcizës në cigare. I vetmi vend që e ka respektuar këtë marrëveshje është Kosova. Ndërsa vendet si Serbia kanë vepruar në mënyrë të kundërt, duke e ulur akcizën. Si pasojë e kësaj, Kosova nga vendi rieksportues i cigareve është shndërruar në vend ku rieksportohen cigaret. Humbjet më të mëdha është duke i pësuar buxheti i Kosovës, i cili mbetet pa të hyrat nga një prej burimeve kryesore, akcizës së cigareve.
“Qeveria do të vijë në një gjendje të tillë, ku nuk do të mund të mbijetojë financiarisht. Dhe për këtë duhet të japin ata përgjigje,” tërhoqi vërejtjen Govori i cili mendon se importuesit e cigareve janë shumë më të ndershëm sesa qeveritarët apo doganierët.

ECIKS / Express (Viktor Buzhala, Avdyl Pajaziti)