Raki për të gjithë

Shifrat e importit të pijeve alkoolike kapin shumën e 20 milionë litrave në vit. Kur dihet se prej të gjitha llojeve të pijeve më të konsumuara alkoolike prijnë në konsum prodhimet vendase, atëherë del se konsumi vjetor i pijeve alkoolike është 50 milionë litra apo 25 litra për kokë banori

Prishtinë, 8 dhjetor 2005 – Kosova është një vend që ka popullatë shumicë të deklaruar si e besimit islam, por konsumi i alkoolit nuk e dallon shumë nga vendet perëndimore.
Rreth 20 milionë litra alkool pinë kosovarët gjatë një viti vetëm nga importi. Kur kësaj i shtohet edhe Birraria e Pejës, që shet disa milionë litra brenda vitit, veraritë që shesin disa milionë litra si dhe prodhimi shtëpiak, atëherë arrihet shifra prej të paktën 50 milionë litrave pije alkoolike brenda vitit.

Prej birrave në treg thuhet se prinë Birra e Pejës, prej rakive prinë Rakia e Rrushit e Rahovecit, ndërsa prej verërave sërish një produkt rahovecian, Vera e Kuqe.
Kur kjo shumë ndahet me numrin e banorëve, atëherë del se një kosovar gjatë një viti konsumon rreth 25 litra alkool. Shuma mund të jetë edhe më e madhe sepse në këtë nuk janë përfshirë pijet alkoolike që hynë kontrabandë dhe ato për konsum personal, ngase çdo udhëtar mund ta sjellë në Kosovë 1 litër pa paguar detyrime doganore. Vetëm përmes Aeroportit të Prishtinës lëvizin rreth 800 mijë udhëtarë brenda një viti.

Sipas të dhënave të ofruara nga Shërbimi Doganor i UNMIK, në Kosovë janë importuar pije alkoolike në shifrën prej 16. 8 milionë litra prej 1 janarit deri më 22 nëntor të këtij viti. Shifrat rriten shumë gjatë fundvitit, kur fillon festa e Kërshëndellave dhe ajo e Vitit të Ri. Sipas supermarketeve, konsumi i pijeve alkoolike është rritur dukshëm më ftohjen e kohës.

Në krahasimin e importit për vitet 2004-2005, del se për këtë vit është rritur importi i pijeve alkoolike për të paktën 5 milionë litra. Gjatë vitit të kaluar janë importuar rreth 15 milionë litra (7.5 milionë për gjashtë muajt e fundit të vitit 2004), ndërsa gjatë këtij viti ecuritë tregojnë se do të importohen të paktën 20 milionë litra deri më 31 dhjetor. Alkoolet dihet se hynë në kategorinë e mallrave luksoze, për të cilat përpos taksës doganore dhe TVSH duhet paguar edhe akcizë. Nga importi i pijeve alkoolike buxheti i Kosovës është plotësuar me 5.1 milionë euro vetëm gjatë këtij viti. Deri në fund të vitit trendët tregojnë se kjo shumë do të arrijë në 6 milionë euro.

Pija alkoolike e kosovarëve është birra. Vetëm nga importi në Kosovë për afro 11 muaj kanë hyrë rreth 15.3 milionë litra birrë. Edhe në këtë rast trendët tregojnë se deri në fund të vitit importi i birrës do të arrijë deri në 18 milionë litra, ngase muajt e fundit të vitit importohen mbi 2 milionë litra në muaj. Ndërkohë importi i rakisë kap shifrën e mbi 1 milion litrave. Më pak të preferuara për kosovarët duket se janë verërat e huaja, të cilat kapin një import vjetor prej 500 mijë litrave.

Prej birrave më të shitura, sipas disa nga supermarketeve të vizituara nga Express, del se është Birra e Pejës. Pas saj renditen birrat e importit si Union, Heineken, Lashko, Efes dhe Becks.

Edhe sa i përket rakisë, prapë dominon një prodhim vendor, Rakia e Rrushit, pjesa dërmuese e së cilës prodhohet në Rahovec. Pas saj kosovarët preferojnë disa lloje të Whiskey si Ballantines dhe Jack Daniels. Pas saj është Vodka e në fund ndonjë raki që vjen nga vendet fqinjë si Krstaq.

Sa i përket verës, prinë Vera e Kuqe e Rahovecit. Pas saj më të shiturat janë Vranaci, Merloti dhe Vranac Pro Cordell.

Dy nga prodhuesit më të mëdhenj të pijeve alkoolike në Kosovë, Birra e Pejës dhe Vera e Rahovecit janë hedhur në shitje nga AKM.

ECIKS / Express (Viktor Buzhala & Avdyl Pajaziti)