Prishtinë, 13 dhjetor 2005 – Komisioni për buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës me dëgjimet e sotme buxhetore nga Ministria e Punës e Mirëqenies Sociale si dhe nga Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, ka përfunduar me dëgjimet buxhetore. Nesër komisioni do të bëjë sublimimin e të gjitha shqyrtimeve dhe të enjten në seancën parlamentare do të kërkojë përkrahje.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale sot ka kërkuar rritjen e fondit të sistemeve pensionale. Ndërkaq, Ministria e Arsimit përmes ministrit Agim Veliu kërkon mbështetje për reforma në arsimin fillor dhe të mesëm si dhe mjete për investime kapitale në rregullimin e infrastrukturës shkollore dhe ndërtimin e objekteve të reja shkollore në disa mjedise. Me dëgjimet e sotme ka përfunduar ky cikël, ndërkaq nesër komisioni do ta bëjë sublimimin e të gjitha kërkesave, tha kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, Naser Osmani. “Pas dëgjimeve të të gjitha organizatave buxhetore, ministrive etj. nesër do të ulemi si komision dhe do të bëjmë sublimimin e të gjitha shqyrtimeve të deritashme dhe do të propozojmë në seancën e ardhshme parlamentare të enjten, deputetëve që të përkrahin të gjitha sugjerimet që do ti jep komisioni për buxhet dhe financa”, tha Osmani. Ligji për buxhet dhe financa si akti më i lartë juridik që i nxjerr Kuvendi për çdo vjet, do të shqyrtohet si ligj në dy seanca.
ECIKS / RTK