Kompanitë e ndërtimit u ikin tatimeve

Prishtinë, 6 tetor 2004 – Kompanitë e ndërtimit në Kosovë u shmangen detyrimeve tatimore. Administrata Tatimore ka nisur një aksion në mbarë vendin për verifikimin e tyre.

Kjo administratë ka ngritur një ekip special për evdinetimin e tyre dhe puna është përqëndruar kryesisht ne Prishtinë, ku edhe ndodhet numri më i madh i këtyre firmave. “Ekipi për zbulimin e rasteve të shmangies së pagesës së detyrimeve tatimore është duke hetuar kompanitë e ndërtimit, pasi përgjithësisht janë ato që kryejnë evazion fiskal”, tha Fahri Breznica, zëvendësdrejtor i Administratës Tatimore (AT). Breznica nuk dha ndonjë shifër se sa është numri i ndërmarrjeve që u shmangen tatimeve, sepse, siç tha ai, ende janë duke u bërë verifikimet në terren dhe nuk mund të dihet numri i saktë i tyre.

Ekipi special i cili do të merret me çështjet e pengimit të ikjes nga tatimi, ka filluar punën para dy muajsh dhe përbëhet prej pesë inspektorëve tatimorë me përvojë në AT dhe drejtohet nga shefi i ekipit. Qëllimi i këtij ekipi është kryerja e inspektimeve tatimore te tatimpaguesit të cilët ushtrojnë veprimtari tregtare ilegale ose që iu shmangen tatimeve. Sipas Breznicës, për këto dy muaj sa po punon ky ekip, janë duke u hetuar disa kompani që mendohet se nuk kanë paguar tatime, por ai nuk deshi t’i përmendë emrat e tyre. Janë 9 zyra rajonale që punojnë në hulumtimin e rasteve të ikjes së tatimit, por rastet më të rënda dorëzohen në zyrën qendrore në Prishtinë.

Ekipi special i Administratës Tatimore ka zbuluar një rast të fshehjes së tatimit në vlerë prej 300 mijë euro i cili ende nuk është përfunduar. Të gjithë ata që iu kanë ikur tatimeve janë të detyruar të tregojnë kontratat e tyre dhe pse nuk kanë deklaruar tatimin. Këto janë procedura shumë të ndërlikuara para se të dërgohet lënda në gjykatë dhe të caktohet shuma e parave që do të paguajë si dënim në bazë të Kodit të ri Penal.

Nga inkasimi i brendshëm i tatimeve mblidhet diku rreth 25 për qind e buxhetit, në vlerë prej 632 milionë euro, aq sa parashihen të grumbullohen tatime këtë vit në Kosovë.

ECIKS / Biznesi