Bllokohet ndërtimi i kullave të El Sayed në Prishtinë

Prishtinë, 5 Tetor 2004 – Kryebashkiaku i Prishtinës, Ismet Beqiri u kërkoi publikisht banorëve të Prishtinës që të mos blejnë në asnjë rast shtëpi te pallatet “Hawai”, që po ndërtohen nga El Sayed në kryeqytetin e Kosovës. Në gusht të këtij viti autoritetet drejtuese të Komunës së Prishtinës vendosën t’i bllokojnë të gjitha ndërtimet pa leje në këtë qytet. Por, kryebashkiaku nuk u ndal me kaq. Nëpërmjet deklarimeve për shtyp, në media, ai ka kërkuar që qytetarët e Prishtinës të mos shkojnë të prenotojnë apo të blejnë banesa te kompania “Kosova Hawai Group”, arsye është se kjo kompani nuk ka marrë asnjë leje për ndërtimin e pallateve.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Bajram Mjeku, tregon se më 18 gusht është bërë bllokimi i 6 kullave që kishin nisur të ndërtoheshin në Prishtinë dhe El Sayed kishte njoftuar se prenotimi bëhej duke paguar këstin e parë prej 8 mijë eurosh.

Komuna e Prishtinës nuk bëri vetëm bllokimin e ndërtimeve që kishin nisur, por edhe lajmëroi qytetarët që të tërhiqeshin nga marrdhëniet me kompaninë e El Sayedit. Zëdhënësi i Bashkisë së Prishtinës thotë se në Kosovë ka një kërkesë të madhe për banesa dhe kjo bëri që njerëzit të dyndeshin pranë kësaj kompanie për të blerë një apartament. Në momentin e parë, sapo ata nisen të bënin kontratat dhe pagesat e para të kesteve prej 8 mijë euro, ndërhynë autoritetet e pushtetit lokal të Prishtinës që e ndalen gjithë procesin. Bajram Mjeku, zëdhënësi i Bashkisë së Prishtinës, tha për “Gazetën Shqiptare” se Komuna e Prishtinës ndërpreu punimet e kompanisë egjiptiane “Kosova Hawai Group” për dy çështje. “Punimet janë ndërprerë menjëherë nga drejtoria për inspektim dhe njëkohësisht në kumtesën për opinion, të cilën e ka lëshuar Zyra për Marrdhënie me Publikun, kemi njoftuar opinionin se kjo, por edhe të gjitha kompanitë e tjera që kanë ndërtuar pa leje në pronën e Komunës, as kanë marrë as nuk do marrin leje ndërtimi”. Mjeku është shprehur se për të blerë shtëpi janë interesuar një numër i madh i qytetarëve, por qytetarët kanë menduar se kjo kompani është pajisur me leje ndërtimi dhe leje urbanistike dhe, në momentin që kanë kuptuar se nuk i kanë këto dy leje, janë tërhequr.

ECIKS / BalkanWeb