Kompania maqedonase "Mikrosam" në listën e zezë të SHBA-ve

Shkup, 8 janar 2004 – Kompania nga Maqedonia “Mikrosam” është vendosur në listën e zezë të SHBA-së dhe ndaj saj do të zbatohen kufizime tregtare. Kjo kompani dhe pronari i saj Bllagoja Samakovski akuzohen se janë përfshirë në tregti me teknologji të raketave. Masat kundër kompanisë “Mikrosam” dhe pronarit të saj Samakovski parashikojnë një ndalesë dyvjeçare për marrëveshje me qeverinë amerikane dhe një vendim për ndalim të dhënies së licensave eksportuese për këtë periudhë. Redaksia në gjuhën maqedonase e radios “Zëri i Amerikës” informoi se vendimi i para ca ditëve ishte shpallur në Regjistrin Federal të qeverisë amerikane.

Në vendim theksohet se këto masa janë marrë edhe për shkak se ishte shkelur vendimi i dhënë nga ish-presidenti amerikan Bill Klinton, sipas të cilit zbatohen sanksione kundër personave dhe kompanive të përziera në tregtinë e armëve të shkatërrimit në masë dhe mjete për përdorim të armëve të tilla. Në dokument nuk është qartësuar se ç’lloj armësh janë tregtuar, as nuk janë përmendur vendet të përziera në tregtinë, informoi “Zëri i Amerikës”. Kompania “Mikrosam” është themeluar në mesin e viteve ‘90 të shekullit të kaluar në Prilep dhe merret me përpunim të teknologjisë moderne, kryesisht të robotëve industrialë.

ECIKS / Biznesi