Prishtinë, 19 prill 2006 – Moti i ftohtë dhe me shi ka ndikuar që mbjelljet pranverore në Kosovë sivjet të vonohen. Kjo vonesë do të këtë ndikim të drejtpërdrejtë në ulje të rendimentit të kulturave lavërtare në veçanti të patates, misrit dhe lulediellit si dhe në zvogëlimin e sipërfaqeve të mbjella.
Habil Zeqiri, ushtrues i detyrës së drejtorit në Departamentin e Prodhimtarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në Ministrinë e Bujqësisë, thotë se moti i lig i përcjell me lagështi i cili po mbretëron në vendin tonë jo vetëm që ka ndikuar në shtyrjen e afatit optimal të mbjelljeve pranverore, por do të këtë ndikim drejtpërdrejt edhe në zvogëlim të sipërfaqeve të parapara për tu mbjell për këtë vit. Vetëm me kulturë të misrit numri i paraparë i sipërfaqeve për tu mbjellë për këtë vite planifikohet të jetë afro 74 mijë hektar.
”Dëmet do të jenë të konsiderueshme nëse nuk realizohet plani i mbjelljes deri në 90%, për arsye se koha optimale çdo ditë është duke u larguar nëse vazhdon kështu. E në qoftë se nuk arrihet të mbillen këto sipërfaqe, atëherë do të kemi edhe rritje te importit e që do të ndikonte negativisht për fermerët tanë, por edhe ekonominë e vendit”, tha ai.
Zeqiri porosit fermerët që gjatë mbjelljes të rrisin sasinë e farërave dhe plehrave.
Ndërkaq, Bedri Kosumi, njeri ndër fermerët më të mëdhenj për kulturën e patates ne vendin tonë mendon ndryshe. Sipas tij, nuk ka nevojë për rritje te sasisë së farës, por për farë cilësore dhe mbrojtje nga sëmundjet.
Imer Rusinovci, ekspert i kulturave lavërtare, thotë se lagështia ka ndikuar edhe në shtyrje të ri-plehërimit të kulturave vjeshtore, e që do të ndikojë drejtpërdrejt në ulje të rendimentit të edhe këtyre kulturave. Për t’iu shmangur humbjeve të mëdha në rendiment, Rusinovci këshillon fermerët që të zgjedhin hibride më cilësore.
ECIKS / RTK