KFOR-i investon rreth 800 mijë euro për rrugët

Prishtinë, 26 gusht 2004 – KFOR-i këto ditë do të fillojë implementimin e projektit për t’i riparuar rrugët më të rëndësishme në Kosovë, në të cilin do të investojë rreth 800 mijë euro.

“Nga fundi i kësaj jave, dy projekte do të fillojnë për riparimin e rrugëve Prishtinë-Gjilan dhe Mitrovicë-Pejë. Që të dyja janë planifikuar të përfundojnë para dimrit. Për këtë qëllim KFOR-i është duke përgatitur kontrata me kompanitë rajonale”,- tha shefi i Zyrës për informim i KFOR-it, Horst Piper. Gjatë realizimit të këtij projekti do të hapen qindra vende pune për banorët vendës,- ka bërë të ditur KFOR-i.

Shuma prej 800 mijë euro do të investohet në gjashtë projekte. Investimet e KFOR-it në projekte civilo-ushtarake janë bërë edhe më herët, rreth 600 mijë euro janë investuar për rregullimin e disa rrugëve në Kaçanik, Mitrovicë, Prishtinë, rrugën kufitare që lidh Kaçanikun me Glloboçicën etj. NATO-ja ka vendosur të financojë 35 milionë euro për riparimin dhe përmirësimin e rrugëve në Maqedoni, të cilat janë shfrytëzuar dhe po shfrytëzohen nga forcat e KFOR-it të vendosura në Kosovë.

ECIKS / QiK