Kelag i Austrisë investon në tri hidrocentrale të vogla

55 milion euro është shuma që kompania “KELAG” nga Austria do të investojë në Grykën e Deçanit për të prodhuar energji elektrike. Në Lumbardhin e Deçanit janë paraparë që të ndërtohen tri hidrocentrale të vogla me kapacitet prodhues prej 28 megavat – orë energji elektrike.

Në inaugurimin e punimeve të këtij projekti 55 milionësh, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Johann Brieger, duke shprehur mirënjohjen e tij dhe të vendit të tij ndaj qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe Komunës së Deçanit për, siç ka thënë ai, përkrahjen e pa rezervë të këtyre investimeve, për prodhimin e energjisë alternative, duke thënë se vendi i tij është duke investuar dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen të investojë në Kosovë, sidomos në projekte të tilla që kontribuojnë pozitivisht ndaj natyrës. Duke dhënë një historik të shkurtër të kompanisë austriake “KELAG”, ambasadori Brieger tha se “ky projekt ka të bëj me sigurimin e energjisë së gjelbër, që është një simbiozë e mirë zhvillimore dhe njerëzore. Kemi gjetur përkrahjen dhe mirëbesimin tuaj për investime të tilla, të cilat mundësojnë zhvillimin e mëtejmë të Kosovës”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë këtij inaugurimi të punimeve ka thënë se Kosova është vend i mundësive dhe i sigurtë për investime:”Është një ditë e veçantë, për Kosovën, qytetarët dhe zhvillimin e saj ekonomik, ngase këtu do të realizohen projekte në vlerë shumë milionëshe dhe me mundësi të zgjerimit të mëtejmë të investimeve dhe të shtimit të fuqisë prodhuese të energjisë alternative”.

/Koha/