KEK-u po shtrëngohet që t'i ofrojë

Anëtarë të Bordit të AKM-së bëjnë të ditur se me tender nuk është paraparë që “Alferon”-i të ketë të garantuar furnizimin me rrymë nga KEK-u dhe se me kontratë nuk janë as të obliguar që ta përpunojnë xehen në Kosovë

Arbana Xharra
Salie Gajtani

Prishtinë, 2 shkurt 2006 – “Alferon”-i, kompania fituese e tenderit të “Ferronikelit”, është duke e vënë në sprovë të rëndë AKM-në dhe KEK-un me qëllimin për të arritur caqet e veta, duke u munduar që ta bindë KEK-un që t’i sigurojë me çdo kusht 100 megavat orë energji elektrike me çmim dyfish me të ulët sesa paguajnë qytetarët e Kosovës. Në të kundërtën “Alferon” është “kërcënuar” se do ta dërgojë xehen për t’u përpunuar në Kavadarc të Maqedonisë, ku posedon miniera derisa t’i krijohen kushte më të volitshme në Kosovë ose edhe të tërhiqet fare nga tenderi. Kështu bëjnë të ditur burime të “Kohës ditore”, brenda AKM-së dhe KEK-ut duke komentuar valën e presioneve që vijnë nga kjo kompani mbi AKM-në dhe KEK-un në këtë periudhë.

“Alferon”-i është duke e zvarritur tash dy herë kryerjen e pagesës për blerjen e “Ferronikelit” duke shtyrë edhe shtyllën e IV-të që t’i ofrojë afate të tjera të reja.

Antarë të Bordit të AKM-së bëjnë të ditur se me tender nuk është paraparë që “Alferon”-i të ketë të garantuar furnizimin me rrymë nga KEK-u dhe se me kontratë nuk janë as të obliguar që ta përpunojnë xehen në Kosovë.

Zyrtarë të saj të lartë, të cilët kanë kërkuar të mbesin anonimë, kanë deklaruar për “Kohën Ditore” se KEK-u do të dalë humbës po qe se pranon që në kontratën e bërë me “Alferon”-in të thuhet se “KEK-u do t’i sigurojë energji të garantuar kësaj kompanie”. Ndërkohë që mësohet se disponimi i shumicës prej anëtarëve të Bordit të KEK-ut në mbledhjen që do të mbahet të premten (sot) është pro nënshkrimit të kontratës për furnizim me rrymë të “Alferon”.

Ndërkaq zyrtarë të lartë të kësaj kompanie nuk pranojnë që të komentojnë pa i përfunduar të gjitha negociatat në Kosovë. “Nuk mund të komentoj asgjë derisa të mos kryhen negociatat”, ka thënë më parë shefi i “Alferon”-it, Johanes Sittard.

5 mijë euro në orë do të humbë KEK-u nëse i ofron rrymë të garantuar “Alferon-it”

Me garantimin e 100 megavat orë rrymë për “Alferon”-in, KEK-ut do t’i duhet që të reduktojë dukshëm furnizimin e konsumatorëve, ose të importojë rrymë me çmim dyfish më të shtrenjtë sesa çmimi me të cilin do t’i shitet “Alferon-it”.

Zyrtarë të lartë të KEK-ut thonë se pas nënshkrimit të kontratës me “Alferon”-in që do të bëhet këto ditë, KEK-u patjetër do të duhet të importojë energji elektrike.

“Me importimin e 100 megavat sa herë që një bllok bie nga sistemi, KEK do të humbasë rreth 5 mijë euro në orë, sepse nga 100 megavat sa do të blihen ne orë automatikisht humbje e rrjetit (teknike dhe komerciale) do të jenë 47 për qind”, ka thënë një zyrtar i KEK-ut për të shtuar se nga 53 përqindëshi i mbetur i rrymës jo e tërë sasia do të faturohet dhe vetëm 33 për qind e rrymës së faturuar do të inkasohet.

Nga ana tjetër, “Aleferon”-i i informuar mirë me këto humbje nuk ka pranuar që të importojë për vete rrymë edhe pse KEK-u i ka ofruar shfrytëzimin e rrjetit, ashtu siç parashihet me Memorandumin e Athinës.

“Me këtë KEK-u do të hyjë në obligim që pati apo s’pati rrymë të mjaftueshme vetë, t’i gjejë kudo që të jetë e mundur 100 megavat orë energji elektrike për `Alferon'”-in, thonë burime të gazetës brenda KEK-ut.

Për t’i pranuar këto kushte që ka kërkuar “Alferon”-i KEK-u duhet të përgatitet për humbjen e kredibilitetit tek qytetarët, sepse nuk ka gjasa që me prodhimin vendor t’i sigurojë asnjë konsumatori furnizim me rrymë 24 me 0.

Me pranimin e këtij kushti KEK -u duhet të ndajë mesatarisht një të pestën e prodhimit të tij vetëm për “Alferon-in”. Sepse KEK-u mesatarisht për një orë prodhon 550 megavat orë rrymë më blloqet kryesore ne prodhim, kurse gjatë dimrit kërkesat për rrymë arrijnë deri në 1000 megavat orë ose edhe i kalojnë ato. Burimet e Kohës Ditore kanë bërë të ditur se “Alferon”-i ka kërkuar që rryma t’i shitet me çmimin prej 28 euro për megavat, kurse KEK-u ka ofruar çmimin prej 32 eurosh.

“Sipas të gjitha gjasave ne mbledhjen e bordit të KEK-ut do të vendoset që marrëveshja të arrihet për një mes apo 30 euro për megavat orë”, ka thënë burimi i KD-së.

Ndërkohë që si rrjedhojë e tërë kësaj do të pësojë edhe Plani ABC, ku kategorisë A, më së shumti do të mund t’u sigurohej furnizim 5 me 1, kurse dy kategoritë e tjera, do të pësonin edhe më keq.

Vendësit të injoruar nga zhvillimet e fundit me tenderin e “Ferronikel”-it

Njëri nga anëtarët vendorë të Bordit të AKM-së, kreu i BSPK-së, Bahri Shabani, ka thënë se zhvillimet e fundit me fituesin e përkohshëm të këtij tenderi lënë shumë dyshime për parregullsi. “Mosrespektimi dy herë i afatit për kryerjen e pagesës tregon për joseriozitet të “Alferon-it”, por edhe të shtyllës së IV-të e cila vazhdimisht i jep afate të reja”, ka thënë Shabani për të shtuar se “Alferon”-i është dashur që deri tash së paku të paguante 70 për qind të çmimit të ofruar.

“Pastaj me kontratë nuk i ndalohet blerësit që ta përpunojë xehen në Maqedoni”, ka thënë Shabani duke shtuar se ai si anëtar i Bordit të AKM-së është lënë shumë anash këtij procesi. “Unë nuk informohem me zhvillimet e fundit të këtij tenderi, jam lënë krejtësisht anësh”, ka thënë kreu i BSPK-së.

Mësohet se në njërën nga mbledhjet e fundit të Bordit të AKM-së, shefi i Shtyllës IV të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, ka thënë se do të merret ai me çështjen e ratifikimit të kontratës dhe me të gjitha zhvillimet e tjera rreth këtij procesi. Këtë e vërteton edhe agjenda e mbledhjes se ardhshme të Bordit të AKM-së ku shitja e “Ferronikel”-it, nuk është në asnjë pikë të rendit të ditës.

Edhe zyrtarë të lartë të KEK-ut, thonë se janë injoruar nga ndërkombëtarët, pasi që ata nuk kanë përfillur asnjërin nga vendorët që mbajnë pozita të larta në KEK, gjatë negocimit rreth kontratës për furnizim me rrymë të “Alferon”, duke bërë që këto negociatat të zhvillohen me dyer të mbyllura për ta.

Opsionet e KEK-ut mbahen të fshehta

Zyrtarisht thuhet se KEK-u i ka ofruar disa opsione për zgjidhjen e çështjes së furnizimit me rrymë për “Alferon”-in ndërkohë që zyrtarët e MEM-it dhe KEK-ut thonë se nuk i dinë detajet.

Zëvendësministri i Energjisë dhe Minierave, Agron Dida, ka thënë se ende nuk është vendosur asgjë lidhur me furnizimin me rrymë të “Ferronikel”-it. Ndërsa lidhur me alternativat e parashtruara për zgjidhjen e kësaj çështjeje Dida ka thënë se “kjo nuk është punë e ministrisë, por e KEK-ut” duke shtuar se KEK-u duhet tu ofrojë të gjithë konsumatorëve rrymë me çmim të tregut.

Atij nuk i ka pëlqyer fare të flitet për çmimin e ofruar “Alferon-it” duke pyetur “sesi ka mundësi të dalin në opinion çmimet ende pa u nënshkruar kontrata”.

“Nuk është reale të përmenden çmimet derisa ende nuk kanë përfunduar negociatat”, ka thënë Dida duke shtuar se furnizimi me rrymë i “Ferronikel”-it për KEK-un është biznes, prandaj ka nevojë që të negociohen këto çështje. Megjithatë Dida ka theksuar se “Ferronikel”-i është kompani kosovare andaj KEK-u duhet t’i shohë mundësitë e veta që edhe këtë kompani ta furnizojë me rrymë duke respektuar kriteret ekonomike dhe me çmime të arsyeshme për “Alferon”-in.

Nga ana tjetër Donika Kadaj – Bujupi, zëdhënëse e KEK-ut ka pohuar për të disatën herë se “KEK-u ende është në negociata” dhe se deri tani asgjë nuk është vendosur. Ajo thekson se KEK-u ka bërë ofertën e vet dhe tashmë janë disa opsione në tryezë ndërkohë që sipas saj pritet që së shpejti të arrihet një marrëveshje. As ajo nuk ka mundur të thotë se cilat janë opsionet që janë shtruar në tavolinë duke u arsyetuar se “nuk i di ato”.

(Marrë nga Koha Ditore)