KEK-u përfiton edhe 63 milionë të suficitit

Prishtinë, 26 janar 2004 – Korporata Energjitike e Kosovës (KEK) do përfitojë edhe rreth 63 milion euro nga suficiti buxhetor i vitit 2003. Kjo u vendos me rekomandimin e Grupit të punës për energjitikë, i cili përbëhet nga përfaqësuesit e UNMIK-ut, Qeverisë, donatorëve dhe Agjensisë Kombëtare të Mirëbesimit (AKM). Sipas zëdhënëses së Qeverisë, Mimoza Kusari, Kryeministri Bajram Rexhepi tashmë e ka pranuar këtë financim, por me kusht që paratë të jepen pasi KEK-u të ketë dorëzuar projektet.

Zëdhënësja shtoi se Kryeministri e kundërshtoi rekomandimin e parë të AKM-së për t’i dhënë KEK-ut 102 milionë euro. Sipas dokumentave, KEK-u ka një defiçit prej 2.5 milionë eurosh, që është shkaktuar nga një kosto e lartë e energjisë dhe nga një inkasim tepër i ulët. Gjatë katër viteve të fundit Kosova po ballafaqohet me një krizë energjitike e cila ka ardhur nga mosmirëmbajtja e termocentraleve në 10 vitet e administrimit serb. Kriza energjetike është pasojë edhe e dështimit të investimeve prej qindra milionë eurosh që u shpenzuan për kapacitetet energjitike të Kosovës nga donatorët ndërkombëtarë.

ECIKS / Balkanweb