KEK merr rrugën e privatizimit

Korporata Energjetike e Kosovës do të hyjë shumë shpejt në privatizim dhe sektori i parë që do të privatizohet do të jetë ai i distribuimit të energjisë elektrike. Kjo është parë si e vetmja mundësi nga ana e qeverisë së Kosovës për të pasur furnizim të mirë me energji pasi deri më tani kjo kompani ka marrë 1.2 miliardë euro ndihma dhe gjendja e furnizimit me energji elektrike nuk është përmisuar.

Mirëpo, Kabineti Ministror nuk e mbështeti edhe një kërkesë të MEF-it që të formohet një komision për verifikimin e procesit të privatizimit të këtij sektori energjetik.

Madje, u tha se ky komision bie në kontradiktë me ligjin, pasi që akoma nuk është miratuar në Kuvend ligji për ndarjen e korporatës.
Por, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi tha se kërkesa për privatizim nuk pret dhe këtë çështje e hodhi në votim.

“Është nevojë e domosdoshme që në kuadër të privatizimit të ndërmarrjeve publike, në përputhje me normat dhe standardet e ekonomisë së tregut dhe efikasitetin e tyre, të shkojmë në këtë proces, pas një debati të brendshëm dhe pas këshillave me ekspertë ndërkombëtar”, tha fillimisht Thaçi.

Edhe pse KEK-u, siç tha shefi i qeverisë, deri më tani ka përfituar financa të majme nga qeveria, por edhe organizatat ndërkombëtare, situata edhe më tej vazhdon të jetë jo e mirë.

“Me qëllim të kthimit të kësaj ndërmarrje një kompani stabile, moderne dhe plotësisht të vetëqëndrueshme, përfshirë edhe kapitalit privat, mbetet si opsioni me i zbatueshëm në këtë fazë të zbatimit të KEK-ut. Me këtë vendim të qeverisë në autorizojmë fillimin e punëve të domosdoshme përgatitore për transaksionet e privatizimit”, tha kryeministri.

Privatizimi i distribucionit të KEK-ut, siç u shpreh Thaçi, do të shërbejë si tregim suksesi për përfshirjen e kapitalit privat në zhvillimin e sektorit energjetik dhe do të mundësojë investime private në minierat dhe gjenerim, përfshirë këtu edhe zhvillimin e projektit të rëndësishëm të Kosovës C.

KEK-u, sipas tij, deri më tani nga viti 2000 deri më 2008, ka marrë 1 miliard e 192 milionë € dhe rezultatet janë jo të kënaqshme.

Telegrafi

This website uses cookies to improve its performance and the relations with its audience. For more information on data protection see our Privacy Policy.