KE ndanë 65 milionë euro për Kosovën

Komisioni Evropian (KE) i ka ndarë 65 milionë euro për të mbështetur përpjekjet e Kosovës për implementimin e agjendës së BE-së për reforma. Fondet do të përdoren për reformim të sistemit të drejtësisë dhe administratës publike, investime në arsim dhe zhvillim regjional, dhe të ofrohet strehim dhe vende të punës për familjet rome, ashkali dhe egjiptiane.

Ato gjithashtu do të ndihmojnë në rritjen e zhvillimit të sektorit privat duke ofruar përkrahje për NVM-të dhe të fuqizohen kapacitetet tregtare të Kosovës, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.

“Këto fonde të reja e reflektojnë përkushtimin tonë për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Administrata publike dhe gjyqësore më efikase, integrimi më i mirë i pakicave, arsimimi më i mirë si dhe zhvillimi ekonomik janë prioritete kyçe në këtë drejtim. Fondet tona do të mbështesin reformat e nevojshme, me të cilat do tu ofrohen qytetarëve përfitime të prekshme,” tha Komisioneri për Zgjerim dhe Politika Fqinjësore Evropiane Stefan Fyle.

/Telegrafi/