Sot në kryeqendrën turke Stamboll u mbajt konferenca e dytë me investitorët potencial në PTK, e cila kishte për qëllim prezantimin e mundësive investuese në fushën e telekomit në Kosovë, përmes blerjes së aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.
Kjo konferencë është e dyta me radhë, pas një konference të suksesshme të karakterit të ngjashëm, të mbajtur në Londër javën e kaluar.
Në konferencë janë prezantuar mundësitë investuese në Kosovë, ambienti i favorshëm fiskal, potenciali i tregut dhe profili i kompanisë.
Konferenca është udhëhequr nga Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për privatizimin e PTK-së, ministri Besim Beqaj. Në fjalën e tij para pjesëmarrësve në Konferencë, ministri Beqaj ka garantuar investitorët potencial se në këtë proces do të ndiqen standardet më të larta ndërkombëtare dhe i gjithë procesi do të bazohet në tre premisa kryesore: transparencë, trajtim të barabartë të investitorëve dhe konkurrencë.
Beqaj po ashtu ka vënë në pah se Republika e Kosovës është duke ndjekur të gjitha hapat e duhura për të përafruar plotësisht infrastrukturën ligjore me atë të BE-së në fushën e telekomit, me qëllim të ngritjes së investimeve private, dhe sigurimit të komunikimeve më të lira dhe kualitative për qytetarët e Kosovës.
Ai ka vlerësuar se PTK-ja është kompani udhëheqëse në sektorin e telefonisë mobile dhe fikse në Kosovë, si nga numri i abonentëve po ashtu edhe nga kualiteti i shërbimeve. Mirëpo, vlera shtesë e PTK-së bazohet në potencialin për zgjerim që ka kjo kompani.
Me hyrjen e investitorit privat në PTK-së, ministri Beqaj, ka theksuar se pritet që sektori i telekomit të ketë një zhvillim me trend shumë më të shpejt.
Para investitorëve potencial u prezantuan edhe profili i përgjithshëm i kompanisë dhe veçoritë e përgjithshme të tregut të telekomit në Kosovë nga aspekti rregullativ.
Në këtë konferencë po ashtu ka marrë pjesë Këshilltari i Transaksionit, Lazard Freres, të cilët kanë shpjeguar procedurën konkurruese në bazë të standardeve ndërkombëtare që do të udhëhiqet në këtë proces.
Investitorët potencial pjesëmarrës në konferencë kanë vlerësuar se PTK-ja është ndërmarrje mjaft atraktive për të shtrirë investimet e tyre dhe se tregu i telekomit në Kosovë ofron mundësi të mirë për zhvillim të mëtutjeshëm.
Konferenca u karakterizua me pjesëmarrje të gjerë të investitorëve nga e gjithë bota.
/Koha /