Konferenca e Donatorëve e mbajtur katër vjet më parë nuk është përmbyllur me sukses të plotë. Donatorët nuk i përmbushën zotimet e tyre se do të përkrahin zhvillimin ekonomik-social të Kosovës me një ndihmë financiare prej 1.2 miliardë eurosh. Për katër vjet ata dhanë jo më shumë se 864 milionë euro, shkruan sot Koha Ditore. Mospërmbushja e zotimeve të donatorëve nuk kritikohet nga kosovarët. Përkundër asaj, kreu i Qeverisë, Hashim Thaçi, falënderoi dhe arsyetoi vendet premtuese të donacioneve për mospërmbushjen e zotimeve të tyre.
Në Forumin e Tretë të Nivelit të Lartë, në të cilin u diskutuan zhvillimet, ngjarjet dhe veprimet që kanë ndodhur katër vjet pas Konferencës së Donatorëve, që u mbajt në korrik të vitit 2008, Thaçi tha se mospërmbushja e premtimeve për donacione ka mundur të vinte si pasojë e krizës globale financiare, por jo edhe prishjeve të marrëdhënieve të Kosovës me donatorët. Sipas tij, ardhja dhe shpenzimi i donacioneve nga kosovarët kanë qenë transparente. “Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për vazhdimin e ofrimit të asistencës shumë të nevojshme dhe të çmuar për vendin tonë, përkundër krizës globale financiare që e ka kapluar botën viteve të fundit. Përmbushja e nevojave të qytetarëve tanë për vende pune, të paguara më mirë, për përkujdesje shëndetësore të nivelit më të lartë, arsimim më cilësor, dhe energji të qëndrueshme do të jenë detyra të vështira. Kosova ka nevojë për ndihmën tuaj – ndihmë teknike, profesionale dhe për mbështetje financiare – nëse duam të përballemi me sukses me këto sfida”, tha Thaçi para përfaqësuesve të vendeve që katër vjet më parë u kishin dhënë premtime të mëdha për ndihmë kosovarëve në zhvillimin e vendit të tyre.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova në këtë vit ka marrë disa sinjale të mira, të cilat e afrojnë atë me Bashkimin Evropian. Si sinjal të mirë e ka përmendur fillimin e procesit për liberalizimin e vizave, të cilin ai e quajti si proces të domosdoshëm, por që ngërthen në vete edhe shumë reforma, të cilat Kosova duhet t’i bëjë gjatë kësaj rruge: “Një sinjal shumë i rëndësishëm i perspektives evropiane të Kosovës, është edhe fillimi i procesit të liberalizimit të vizave të qytetarëve të Kosovës. Janë këto dy segmente shumë të rëndësishme për Kosovën, ku njëra përbën rregullimin e tregut të brendshëm dhe tjetra përmirësimin adekuat në fushën e sundimit të ligjit. Domosdo që të dyja këto procese janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe kërkojnë reforma të gjithëmbarshme në fushën e legjislacionit, ndërtimit të institucioneve, luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe komunitetit pakicë që jetojnë në Republikën e Kosovës”.
/Koha/