Intensifikohet tregtia e lirë Shqipëri-Kosovë

PRISHTINË, 17 JANAR 2004 – Këmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë intensifikuar si rezultat i marrëveshjes së tregtisë së lirë dhe po reflektohen edhe me furnizimin më të mirë të tregut me mallra dhe ulje të çmimeve. Ky ka qenë përfundimi i specialistëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Mujë Gjonbalaj, këshilltar në Ministrinë e Tregtisë, u shpreh për “Biznesin” se “ka një rritje të dukshme të tregtisë së lirë me Shqipërinë muajt e fundit, ndonëse në këmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve po dominojnë pemët, perimet dhe produktet bujqësore”. Për të informuar sa më mirë komunitetin e biznesit në Shqipëri dhe Kosovë në lidhje me marrëveshjen e tregtisë së lirë, Oda Ekonomike e Kosovës(OEK) dhe Dhoma e Tregtisë së Shqipërisë do të organizojnë më 26 janar, në Prishtinë, një takim me biznesmenët e dy vendeve, tha Gjonbalaj. Organizimi i këtij këshillimi do të bëhet për të hequr disa dilema rreth interpretimit të disa elementeve të marrëveshjes.

Sipas zyrtarëve, produktet që po importohen nga Shqipëria në Kosovë janë kryesisht produkte bujqësore, të tekstilit, metalike e ndërtimore.

Marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ka filluar të zbatohet që nga 1 tetori i vitit të kaluar. Me anë të saj 50 për qind e mallrave që tregtohen ndërmjet dy vendeve nuk do të ngarkohen me taksë doganore.

Kjo marrëveshje parasheh liberalizim të menjëhershëm të 50 për qind të mallrave të tregtuara ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Në gjashtë vitet e ardhshme 90 për qind e tregut do të liberalizohet hap pas hapi. Vetëm disa mallra industriale dhe disa mallra bujqësore do të ngelin të pambrojtura.

ECIKS / BIZNESI