Prishtinë, 19 janar 2004 – Mënyra më e shpejtë dhe më e lirë për të kaluar krizën energjetike në Kosovë, është ndërtimi i linjës së importit 400 kilovolt me Shqipërinë. Kështu thonë drejtuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Menaxheri ndërkombëtar i KEK-ut, Çarls Braun, thekson se ndërtimi i termocentraleve ose hidrocentraleve ka një kosto të papërballueshme për Kosovën, sikurse që ndërtimi i tyre merr kohë të gjatë. “Mënyra më e mirë e furnizimit me energji elektrike, për Kosovën është ndërtimi i linjës 400 kilovolt me Shqipërinë dhe këmbimi i rrymës”,-tha kreu ndërkombëtar i KEK-ut. Sipas tij, nëpërmjet kësaj linje, KEK-u do të dërgonte rrymë për Korporatën Elektroenergjetike të Shqipërisë, kur ka teprica, sidomos gjatë natës, ndërsa ata do ta kthenin borxhin kur kanë teprica.
Ideja për këmbimin e energjisë elektrike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, ka ardhur duke ditur se Kosova ka teprica të energjisë gjatë verës, ndërsa mungesa gjatë dimrit, ndërsa në Shqipëri është e kundërta, sepse kapacitetet energjetike shqiptare janë të bazuara në hidrocentrale me ujë. Banka Botërore ka ndarë një shumë të mjeteve në vlerë prej 1.1 milionë dollarë për hartimin e projektit zbatues të largpërçuesit Shqipëri-Kosovë. Ideja për ndërtimin e termo- apo hidrocentraleve nuk i duket me vend kreut të KEK-ut. Ai tha se nëse supozohet ndërtimi i një hidocentrali në Prizren, do të duheshin gjashtë vjet, dhe gjatë kësaj kohe nuk do të kishte prodhim të energjisë. Ndërtimi i hidrocentralit kushton rreth 60 euro për një megavat. Sipas këtyre përllogaritjeve, Kosovës i nevojiten të paktën 200 milionë euro, të cilat vështirë se mund të sigurohen, duke llogaritur buxhetin e varfër të Kosovës. Menaxheri i KEK-ut shprehet se Kosovës nuk i nevojitet ndonjë termocentral i ri. “Blloqet e “Kosovës A” janë më të reja sesa shumica e termocentraleve në Evropën Juglindore dhe atyre ju nevojitet vetëm riparimi i mundshëm. Nëse i ndërroni kazanët, i ndërroni elektrostatikët, nëse e përmirësoni sistemin e kontrollit, kostoja e përgjithshme e Kosova “A3”, “A4” dhe “A5” do të jetë më pak sesa 50 milionë euro”, -tha ai dhe shtoi se në këtë mënyrë do të fitohen tri blloqe të reja që do të funksionojnë të paktën edhe 10 deri 15 vjet. Në 5 vitet e fundit Kosova po ballafaqohet me problemet e furnizimit me energji elektrike, për shkak të mungesës së riparimit të termocentraleve gjatë viteve ‘90 dhe dështimit të qindra miliona euro investimeve në energjetikë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.
ECIKS / Shekulli