Biznesi vendas kërkon të blejë 100 % të INSIG-un

TIRANË, 17 JANAR 2004 – Biznesi shqiptar kërkon që të blejë 100 për qind të aksioneve të kompanisë shtetërore të sigurimeve. Biznesmenët vendas dje në një konferencë për shtyp kanë kërkuar që të vendosen në të njëjtat pozita me biznesin e huaj dhe me institucionet e ndryshme ndërkombëtare. Rreth 30 biznesmenë të fuqishëm vendas kanë krijuar Grupin e Interesit të Biznesit Shqiptar, me qëllim që të marrin pjesë nëpërmjet kapitalit që zotërojnë në privatizimet strategjike që pritet që të kryejë qeveria shqiptare. “Pjesëmarrja e kapitalit vendor në privatizimet strategjike është domosdoshmëri për zhvillimin e vendit dhe dinjitetin e shoqërisë shqiptare në kushtet e procesit të pakthyeshëm të integrimit të vendit në Bashkimin Europian”, -është shprehur Gjergj Buxhuku, drejtor i Institutit Shqiptar të Politikave Anti-Dumping, i cili do të asistojë biznesin shqiptar në këtë iniciativë. Sipas Buxhukut, ka ardhur koha që të gjithë faktorët politikë, shtetërorë, privatë dhe të shoqërisë civile t’i thonë “ndal” daljes së pakontrolluar të parave shqiptare jashtë vendit, si plaga më e madhe dhe shkaku i vërtetë i mungesës së stabilitetit ekonomik, politik, social dhe shkaktar i tragjedive njerëzore të shqiptarëve. “Janë politikat e qeverisë që po e çojnë vendin në katastrofa ekonomike, por nuk janë më pak përgjegjës edhe priftërinjtë e FMN-së, të cilët bëhen bashkëpjesëtarë në një politikë që ka injoruar interesat ekonomike të vendit”, -është shprehur biznesmeni Koço Kokëdhima. Ndërsa kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Luan Bregasi, është shprehur se “biznesi vendas ka kapacitete financiare, menaxheriale dhe ka provuar edhe herë të tjera që është në gjendje të ndërmarrë iniciativa të tilla kaq të rëndësishme”. Kështu, biznesmenët kanë kërkuar që të blejnë 100 për qind të aksioneve të kompanisë shqiptare të sigurimeve, duke qenë të gatshëm që të blejnë me të njëjtin çmim edhe aksionet që ka blerë IFC-ja dhe BERZH-i. Ndërkohë që kanë kërkuar nga qeveria shqiptare, që interesat e Grupit Nismëtar të Biznesit Shqiptar të merren parasysh dhe të përfshihen në paketën ligjore, që po përgatitet për privatizimin e aksioneve të INSIG-ut. Grupi nismëtar i biznesit ka deklaruar se ka edhe biznesmenë të tjerë shqiptarë që kërkojnë që të marrin pjesë në privatizimin e INSIG-ut, Albtelekomit dhe hotel “Tiranës”.

“Biznesi është dëshmitar se deri më sot metodat e përdorura për privatizimet janë karakterizuar nga intransparenca, arbitrariteti dhe korrupsioni. “I jap të gjithë mbështetjen time të gjithë grupeve të bizneseve që janë formuar për të privatizuar INSIG-un, Albtelekomin dhe hotel “Tiranën””

ECIKS / SHEKULLI