Prishtinë, 12 mars 2007 – Kosova është në rrugë të mirë për implementimin e plotë të marrëveshjes për tregti të lirë me Kroacinë ndërsa ky shtet së shpejti do të hapë një Zyre Ndërlidhëse në Prishtinë, ka potencuar sot ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli, në Forumin ekonomik Kroaci-Kosovë që po mbahet në Prishtinë.
Edhe udhëheqësi i delegacionit të afaristëve nga Kroacia, sekretari i shtetit, Vlladimir Vrankoviq, potencoi se shteti kroat ka vendosur që ta hap Zyrën ndërlidhëse të Kroacisë, për të cilën tha se “shpresojmë që brenda disa muajve të jetë edhe ambasadë”.
“Ne dëshirojmë që sa më shpejt të funksionalizohet kjo zyrë që përfaqësuesit e bizneseve t’i kryejnë shërbimet e tyre në Prishtinë dhe të mos kenë nevojë të udhëtojnë jashtë kufijve të Kosovës”, tha.
Forumi Kosovë-Kroaci synon të intensifikojë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, ndërsa këtë bashkëpunim e ka përkrahur edhe shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, i cili theksoi se Kosova është vend i hapur për investitorë të interesuar.
ECIKS / Telegrafi