Prishtinë, 12 mars 2007 – Ekspertë nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), kanë nisur ta hartojnë programin propozues për dhënien me koncesion të Aeroportit Prishtinës.
Njëri nga ekspertët e USAID-it, ka deklaruar për televizionin “RTV21”, se në rend të parë janë në kërkim të partneritetit ndërmjet kompanive private.
“Ky proces në fakt nuk është shitje e Aeroportit të Prishtinës dhe as privatizim i tij, por është një mbledhje e dy llojeve të shkathtësive menaxhuese. E para është qeverisja e mirë duke e ndihmuar tërë këtë proces që të jetë më afër standardeve evropiane. E dyta është se asetet ekzistojnë, duke përfshirë edhe beneficionet për buxhetin e Kosovës dhe gjëja më e rëndësishme është se do të shohim një ristrukturim gjeneral në këtë proces”, ka thënë ky ekspert nga USAID-i.
Menaxhmenti i Aeroportit të Prishtinës, mendon se nevojiten studime të këtij procesi, për të mos dështuar. Ata thonë se sukseset në këtë proces janë të mundshme në rast se shkon si duhet. Ndërkaq, sindikalistët janë skeptik. Ata kanë frikë se ky proces do të rezultoi me humbje të vendeve të punës. Ndërsa në Aeroport punojnë rreth 600 punëtorë.
Eksperti nga USAID-i, premton se ky proces mundëson zhvillimin e kompanisë dhe për punëtorë do të ketë vend nëse janë të vyeshëm.
ECIKS / Telegrafi