Infrastruktura doganore dhe kufitare arrin standardet evropiane

Zyrtari për çështjet e Kosovës në Komisionin Evropian, Khaldoun Sinno, gjatë qëndrimit në Prizren ka theksuar se përurimi i vendkalimit kufitar tregon mbështetjen e BE-së për Kosovën

Prizren, 18 korrik 2007 – Autoritetet e pushtetit lokal dhe qendror dhe ata të administratës ndërkombëtare, të shoqëruar nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian, të mërkurën kanë përuruar objektin e vendkalimit kufitar në Vërmicë. Me këtë rast, zyrtarët e lartë janë shprehur se realizimi i këtij projekti i plotëson kriteret evropiane në masë të madhe sa i përket menaxhimit të kufijve.

Sipas numrit dy të UNMIK-ut, Steven Schook, qëllimi i vizitës ka qenë shprehja e mirënjohjes ndaj Agjencisë Evropiane për Rindërtim, për punën që kanë bërë në përmirësimin e infrastrukturës doganore dhe
kufitare.

“Ne kemi ardhur këtu që ta falënderojmë Agjencinë Evropiane për Rindërtim, e cili po bën një punë të madhe dhe ka bërë disa objekte që janë ndër më të mirat në rajon, sa u përket pikave doganore dhe kufitare. Ju duhet të jeni mirënjohës për punën që e kanë bërë ata. Kanë bërë një punë me të cilën këto objekte i plotësojnë deri në 95 për qind standardet evropiane”, është shprehur zëvendësadministratori i Kosovës, derisa së bashku me delegacionin po vizitonin objektet e trashëgimisë kulturore në Prizren.

Ndërsa zyrtari për çështjet e Kosovës në Komisionin Evropian, Khaldoun Sinno, gjatë qëndrimit në Prizren ka theksuar se përurimi i vendkalimit kufitar tregon mbështetjen e BE-së për Kosovën në këtë moment. Sipas tij, projekti i vendkalimit kufitar dërgon tri porosi kryesore, që forcon mbështetjen e BE-së, bashkëpunimin rajonal dhe implementimin e standardeve evropiane. Duke sqaruar porosinë e parë, Sinno ka potencuar se deri më tani BE-ja ka ndihmuar Kosovën me mbi një miliard euro, ndërkohë që asistenca si pjesë e instrumentit parahyrës në BE do të vazhdojë edhe në të ardhmen me 200 milionë eurot e siguruara për tre vjetët e ardhshëm.

“Projektet e tilla tregojnë edhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, dhe sa i rëndësishëm është ai për qarkullimin më të efektshëm të mallrave, njerëzve dhe kapitalit. Ekonomia e Kosovës do të zhvillohet dhe do të përfitojë nga kjo”, ka deklaruar zyrtari evropian.

Në fund, ai ka përsëritur se implementimi i standardeve evropiane në Kosovë, po ashtu është një sferë ku BE-ja kontribuon.

“Këtë e bëjmë në baza të përhershme me administratën e Kosovës, me dialog teknik dhe asistencë në shumë sektorë, duke filluar nga menaxhimi i kufijve, prokurimi publik e deri te sektori i drejtësisë. Kjo tregon se BE-ja është këtu dhe këtu do të mbesë”, ka thënë Sinno.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, Eqrem Kryeziu, është shprehur i kënaqur që vendkalimi kufitar është ndërtuar në përputhje me standardet e larta evropiane. Krahas kësaj, ai u ka mundësuar mysafirëve që të njihen me atmosferën e qytetit në Prizren, duke i shoqëruar për vizitë në Kishën e Zonjës Ndihmëtare, Kishën e Shën Gjergjit, Xhaminë e Sinan Pashës dhe sheshin “Shatërvan”.

Koha Ditore

This website uses cookies to improve its performance and the relations with its audience. For more information on data protection see our Privacy Policy.