Fillon faza e dytë e projektit “Kosova C”

Nënshkruhen kontratat me PricewaterhouseCoopers (PwC), Hunton&Williams (H&W) dhe Environmental Resources Management (ERM) për përgatitjen e tenderit dhe përzgjedhjen e investitorit strategjik, i cili do të ndërton termocentralin e ri “Kosova C”

Prishtinë, 20 korrik 2007 – Ministria e Energjetikës dhe Minierave bën të ditur se më 30 korrik, në Kosovë do të vijnë tri kompani me më shumë se 50 ekspertë me renome ndërkombëtare të cilët do të punojnë për Komitetin Drejtues të Projektit “Kosova C” në përgatitjen e tenderit për përzgjedhjen e investitorit strategjik për ndërtimin e termocentralit të ri Kosova C, hapjen e minierës në Sibovc dhe rehabilitimin e njësive të termocentralit Kosova A.

Mbështetja teknike për përgatitjen e dokumentacionit të tenderit, përfshirë këtu edhe koston e punës të këshilltarëve profesional, mbulohet nga granti i Bankës Botërore.

Kompanitë e përzgjedhura, përmes një procesi konkurrues, të cilat do të ofrojnë shërbimet këshillëdhënëse për transaksion, legjislacionin dhe kornizën rregullative si dhe për çështjet mjedisore dhe sociale janë:

– ‘PricewaterhouseCoopers LLP’ nga Anglia (Këshilltarët e transaksionit) me mbështetje nga ‘John T Boyd Company’ nga Anglia, me ekspertizë në fushën e minierave dhe ‘Parsons Brinkerhoff’, nga Anglia me ekspertizë në fushën e gjenerimit. Objektiva kryesore e këshilltarëve të transaksionit është ofrimi i mbështetjes për përmbylljen me sukses të negociatave me investitorin e përzgjedhur, përmes tenderit për investimet në transaksionin e propozuar.

– Hunton& Williams’ nga SHBA (Këshilltarët ligjorë) me mbështetje nga ‘IPA Energy + Water Consultants’ nga Anglia. Objektiva kryesore e këtyre këshilltarëve do të përqendrohet në ofrimin e mbështetjes ligjore dhe rregullative për finalizimin me sukses të transaksionit.

– ‘Energy Resources Management’ nga Italia (Këshilltarët mjedisorë dhe social) me mbështetje nga ‘ELC Electoconsult’ nga Italia, me ekspertizë në fushën e energjisë, dhe ‘CSA Consulting International Limited’ nga Anglia, me ekspertizë në fushën e minierave.

Këshilltarët mjedisorë e social do të ofrojnë mbështetje profesionale për çështjet mjedisore dhe sociale, në përputhshmëri me direktivat e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, të domosdoshme gjatë finalizimit me sukses të transaksionit.
Pritet që brenda këtij viti këta këshilltarë t’i dorëzojnë Komitetit Drejtues të Projektit dokumentacionin e tenderit për aprovim dhe shpallje.

Projekti për ndërtimin e centralit të ri me djegie linjiti, Kosova C, menaxhohet nga Komiteti Drejtues i Projektit i cili udhëhiqet nga Ethem Çeku, Ministër i Energjisë dhe Minierave të Kosovës.

ECIKS