AKM-ja shet edhe 14 ndërmarrje për 3.7 milionë

Prishtinë, 17 korrik 2007 – Mbi 3.7 euro milionë euro kanë kushtuar 14 ndërmarrjet e shpallura për shitje në rrethin 26 të privatizimit, ceremonia e së cilës u mbajt të mërkurën.

Oferta më e lartë është dhënë për ndërmarrjen shoqërore “Ndërtimtari” në Prishtinë, e cila ka sipërfaqe prej 1.19 hektarësh në zonën industriale, ku kohëve të fundit janë zhvilluar shumë biznese. Kjo ndërmarrje ka edhe një depo në sipërfaqe prej 676 metrash katrorë. Për këtë ndërmarrje u ofruan 721.721 euro. Ndërkohë që më së liri u shit depoja “Pozharan” në Gjilan, për 50 mijë euro me gjithsej 23 hektarë.

Edhe në këtë rreth të privatizimit, që u vlerësua me më se paku ndërmarrje të tenderuara, nuk pati asnjë ofertë nga Mitrovica. Të gjitha ndërmarrjet janë shitur me spin-off të rregullt. Depoja nga Gjilani “Pasuria bujqësore” u shit po ashtu me çmim më të lartë sesa ndërmarrjet tjera, ofertuesi i fshehur pas kodit P34 ka dhënë mbi 503 mijë euro. Për një ndërmarrje nuk ka pasur një ofertues, kurse për dy shitore “Llapi” ka pasur vetëm dy oferta me çmimin më të lartë prej 74 mijë euro. Për këtë ndërmarrje do të vendosë Bordi i AKM-së.

Ndërmarrja e re “Komuna Klina” u shit për 202 mijë euro, “Podrima“ Rahavec ,që gjendet në qendër të këtij qyteti dhe përfshin një kompleks të shitoreve, është shitur për 378 mijë euro, kjo ndërmarrje ka pesë shitore dhe një sipërfaqe prej 368.8 metra katrorë. Në Suharekë, ndërmarrja “Kooperimi” agroqendër, që ka objekt me zyrë në sipërfaqe prej 430 metra katrorë, si dhe pompën për derivate me një rezervar me kapacitet prej 25 tonëve, ka kushtuar 131.500 mijë euro. Ndërmarrja e re “ Kosova-Trans – baza e riparimit teknik & autobusët – Prizren”, që është një nga kompanitë kryesore të transportit të udhëtarëve në sipërfaqe të përgjithshme prej 69 ari e 92 metra katrorë, mori ofertën më të lartë prej 335 mijë euro. Shtatëdhjetë e pesë hektarë dhe ndërtesa administrative e ndërmarrjes “Toka bujqësore-Rakosh”, që gjendet në Istog, ka kushtuar 321 mijë euro.

Kurse toka bujqësore në Drenovë, me sipërfaqe prej 240 hektarësh, u shit për 410 mijë euro. “Agro-kultura” ndërmarrje e re depo bashkë me tokë bujqësore në Gremovë, me sipërfaqe prej 57.5 hektarësh, pjesa më madhe e së cilës është përdorur për kultivimin e grurit dhe drithërave, ka kushtuar 309 mijë euro. Toka bujqësore në Nec, që gjendet në afërsi të fshatit Sllatinë me sipërfaqe prej 85 hektarë, u shit për 106 mijë euro. Toka bujqësore e ndërmarrjes së re “Pozharan – Stub”, që ka sipërfaqe prej 23 hektarë, ka kushtuar 51.500 mijë euro. Toka bujqësore “Beli-Dub” u shit për 156 mijë euro.

Agjencia Kosovare e Mirëbesimit deri më tash ka tenderuar 500 ndërmarrje shoqërore, nga të cilat ka grumbulluar 330 milionë euro që po vazhdojnë të mbahen të bllokuara, përveç 20- përqindëshit që iu ndahet punëtorëve të ndërmarrjeve të privatizuara. Ndërsa ka nënshkruar 287 kontrata me blerësit.

Koha Ditore