Prishtinë, 20 korrik 2004 – Ligji mbi Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale, i cili ishte miratuar kohë më parë në Kuvendin e Kosovës, ka hyrë në fuqi. Drejtori i agjencisë, Adnan Bozaliu, tha se me nënshkrimin e këtij ligji nga ushtruesi i shefit të UNMIK-ut, Çarls Brajshou, është krijuar baza ligjore për vendosjen e kontrollit të prodhimit, shpërndarjes dhe importit të produkteve medicinale. Ai theksoi se ky ligj krijon mundësi për eleminimin e të gjitha keqpërdorimeve që ishin të pranishme në fushën farmaceutike. Ai tha se pushteti lokal duhet të kujdeset për respektimin e këtij ligji.”Ky ligj kërkon te respektohet jo vetem nga niveli qendror, por edhe nga institucionet e nivelit lokal. Ligji do të shtrihet në tërë territorin e Kosovës dhe përgjegjësitë do t’i kalojnë edhe pushtetit lokal, i cili duhet ta implementojë këtë ligj, pasi niveli qendror është vetëm mbikëqyrës”, tha Bozaliu. Ai tha se Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale do të bashkëpunojë me shoqatat farmaceutike, por nuk do të lejojë ndërhyrjen e tyre në kompetencat e institucioneve.
Agjencia për Produkte Medicinale ka deponuar një sasi të konsiderueshme të produkteve medicinale, të cilat janë konfiskuar në barnatoret e palicencuara. Ato mund të tërhiqen vetëm pas licencimit të barnatoreve. Kjo agjenci ka konfiskuar në barnatoret kosovare edhe barëra të kontrabanduara dhe barëra me afat të skaduar. Një rol shumë rë rëndësishëm në zbatimin e Ligjit për Produket Medicinale do të ketë Inspektoriati i Agjencisë për Produkte Medicianle.
ECIKS / Radio21