Hulumtohen rezervat e naftës në Shqipëri

VJENË – Gjigandi austriak i industrisë së përpunimit të naftës OMV ka filluar në fund të prillit hulumtimet për gjetjen e burimeve të naftës në Shqipëri. Peter Seitinger i ka deklaruar të përditshmes vjeneze „Die Presse“ se shpimet hulumtuese po kryhen në rrethinën e Gjirokastrës dhe do të zgjasin afro dy muaj. Këto shpime do të bëhen deri në 2500 metra thellësi dhe nëse rezultatet janë të mira, atëherë do të kryhen edhe shpime horizontale. Për shpenzimet e përgjithshme të këtij projekti hulumtues janë paraparë, sipas Seitinger, diçka më shumë se 11,5 milion dollarë.

OMV ka filluar veprimtarinë e vet në Shqipëri qysh në vitin 1991. Atëbotë, kjo kompani kishte bërë hulumtime intenzive në det, por nuk kishte hasur në naftë. Prej vitit 1998 OMV ka themeluar një Joint-Venture me ndërmarrjen Hellenic Petroleum për të hulumtuar burimet e naftës në pjesën tokësore të Shqipërisë.

Në rast të zbulimit të rezervave të naftës, këto dy kompani në bazë të një kontrate të nënshkruar me Qeverinë e Shqipërise, do të kenë të drejtën e eksploatimit të këtyre rezervave, ndërsa shteti shqiptar do të marrë një pjesë të përqindjes nga profiti i përgjithshëm.

ECIKS – (K.D.)