Holkeri e Rexhepi diskutojnë privatizimin dhe standardet

Prishtinë, 19 maj 2004 – Kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri, para nisjes së tij në Finlandë është takuar dje me kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepi. Çështje kryesore për të cilat është biseduar në këtë takim ka qenë hapja e katër zyrave të reja, procesi i privatizimit dhe ai i përmbushjes së standardeve. Kryeministri Rexhepi bëri të ditur pas takimit se është arritur pajtimi që zyra për planifikim strategjik dhe implementim, ajo për integrime evropiane dhe për energjetikë e resurse natyrore do të filllojnë nga puna në kuadër të qeverisë, ndërkohë që do të bëhet edhe zyrtarizimi i funksionimit të zyrës për siguri publike. Funksionimi i këtyre zyrave do të mundësohet në bazë të një urdhërese administrative e cila pritet të nxirret nga UNMIK-u. Po ashtu Rexhepi tha se me Holkerin ka biseduar për çuarjen përpara të procesit të implementimit të standardeve, duke shtuar se deri në takimin e radhës së Grupit Përkrahëse për Kosovën duhet të shënohen rezultate konkrete në këtë proces. “Duhet të shqyrtohet ideja që strukturat tona, ministria e shërbimeve publike, kryeministria, ekspertët nga UNMIK-u dhe ekspertë të jashtëm të fillojnë të bëjnë disa propozime për reformat në administratën lokale. Kjo është kompetncë jona dhe duhet të propozojmë një draft propozim”, tha Rexhepi. Ai tha se sa më shpejt duhet të zhbllokohet edhe procesi i privatizimit. “Ne mund të presim deri në fund të muajit dhe duhet ta zgjedhim këtë problem”, tha Rexhepi, duke theksuar se nuk do të ketë kurrfarë justifikimi për vonesat e mëtejshme. Kryeministri nuk deshi të komentojë nëse kryeadministratori aktual mund të largohet nga posti i tij, por megjithatë ai tha se largimi i Holkerit do të shkaktonte pengesa në proceset politike në Kosovë.

ECIKS/Balkanweb