Hatring: "Kosova duhet të vazhdojë reformat"

Prishtinë, 9 dhjetor 2004 – Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme të Austrisë për Ballkanin, ambasadori Tomas Harting, tha se reformimi i sistemit politik dhe ekonomik paraqet sfidën kryesore të institucioneve të Kosovës. Ai tha se Kosova është duke shkuar drejt një periudhe vendimtare për të ardhmen e saj dhe theksoi se institucionet e Kosovës duhet të punojnë me përkushtim për një të ardhme më të mirë.

Ambasadori Harting i shprehu këto pikëpamje pas takimit me kryeparlamentarin Nexhat Daci, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale politike në Kosovë. “Kosova duhet të vazhdojë vendosmërisht reformat politike dhe ekonomike. Mendoj se Qeveria e Kosovës duhet ta fitojë besimin e kosovarëve. Nëse ka suksese në këto dy pika, atëherë do të arrihet një përparim shumë i rëndësishëm për Kosovën”, theksoi ambasadori Harting.

Ambasadori Tomas Harting është njohës i mirë i zhvillimeve politike në Ballkan.

ECIKS / Radio21