U miratua projektpropozimi i buxhetit për vitin 2005

Prishtinë, 10 dhjetor 2004 – Pas disa vërejtjeve të vogla, deputetët e Kuvendit të Komunës së Prishtinës me shumicë votash miratuan projektpropozimin e buxhetit për vitin 2005. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Hajrush Baraliu, propozoi që kuvendi të bëjë disa ndryshime në disa pozicione. “Në pozicionin 41 që ka të bëjë me blerjen e veturave, grupi parlamentar i LDK-së propozon që ky pozicion të zvogëlohet për 200 mijë euro. Dhe këto 200 mijë grupi ynë propozon që 100 mijë të shkojnë në zhvillim rural dhe 100 mijë tjera të shkojnë në arsim, që ka të bëjë me riparimin e shkollave”, tha Bajraliu.

Përfaqësuesi i grupit parlamentar të AAK-së, theksoi se projekt buxheti është i hartuar mirë, në krahasim me vitet e mëparshme, mirëpo, sipas tij, shifrat e paraqitura do të duhej të shoqëroheshin me shpjegime. “Ne kemi një kërkesë që është dashtë që pjesët ku janë të radhitura me shifra, të kenë edhe pjesët tekstuale të zbërthimit se si ka ardhur deri te ndërtimi, sajimi i buxhetit dhe arsyeshmëria tekstuale, për shembull kemi 6 për qind zvogëlim nga grandet”, tha Sheholli. Ndërkaq përfaqësuesi i grupit parlamentar të PDK-së, tha se ky buxhet është dashur të detajizohet, dhe, sipas tij, duhet bërë edhe një analizë më të thellë të këtij projektbuxheti. Kryeshefi i ekzekutivit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, Sami Hamiti, theksoi njerëzit që e kanë përpiluar këtë projekt, i kanë kushtuar kohë rëndësi të posaçme. Drejtori i financave të Komunës, Agim Dibrani pohoi se transparenca në përpilimin e projektpropozimit ka qenë në nivel, dhe shtoi se ata që e kanë përpiluar projektin i kanë dhënë përparësi; Arsimit, Shëndetësisë dhe fushave të tjera me rëndësi. Ai poashtu bëri të ditur se 78 për qind e buxhetit të këtij viti është realizuar.

ECIKS / Radio21