Hapi i vështirë për në FMN

“Më pëlqen ky vend. Ngado e kthen kokën gjen rrëfime për të shkruar. Kisha jetuar këtu disa vite. Çfarë rroge do të më mjaftonte për të jetuar këtu?” Ishte kjo pyetja që shtronte një student i ri amerikan i gazetarisë, që sapo kishte dalë nga një minierë ilegale e qymyrit në afërsi të një fshati të Vushtrrisë. I doli një reportazh i mirë i shkruar e i shoqëruar me fotografi shumë interesante. Ajo që nuk doli të nxirrte ishte fitimi mujor i minatorëve ilegalë. Këta të fundit refuzonin me këmbëngulje t’i zbulonin këtë informate. Se mos frikoheshin se dikush do t’u kërkonte të paguanin tatim. Tjetra informatë që gazetari i ri nuk ia doli të nxirrte gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ishte edhe se sa para do t’i duheshin për një jetë mesatare në Kosovë. E vetmja përgjigje që mund t’i japësh ishte “sa të kesh”. Ka muaj të tërë që mediumet botërore raportojnë për ndryshimin e sjelljes së konsumatorit që kanë për pasojë rënien e shitjeve në dyqanet e veshmbathjeve dhe në ato ushqimore. Gazetarët kosovarë e kanë të pamundur që ta ndjekin trendin e mediumeve botërore. E vetmja përgjigje që mund të marrin nga bizneset për sjelljen e konsumatorëve në muajt e çmimeve të rritura është: “Shitje po kemi më pak”. Asnjë përqindje, asnjë shifër. E çka u duhen. Nëntë vjet pa shifra të sakta kemi jetuar rehat. Ka mjaftuar që t’i dimë gjërat me të dhëna të përafërta. Numrin e popullatës, shkallën e papunësisë, inflacionin, bile edhe ditën kur ka gjasa që të anëtarësohemi në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Gjashtë muaj ka qenë premtimi i parë i Qeverisë. Në fakt nëse punët ecin mirë, për aq muaj edhe mund të anëtarësohet Kosova në FMN, por ajo që nuk tregoi Qeveria ishte se prej cilës ditë duhet të nisim t’i numërojmë muajt. Gjashtë muaj jo prej ditës kur kosovarët e shprehin dëshirën për anëtarësim, por prej ditës kur t’i plotësojnë kushtet për anëtarësim.

Por, duket se periudha e shifrave të përafërta ka përfunduar. Njëri prej kushteve që kërkon FMN-ja të plotësohet e që do t’i nxjerrë Qeverisë më së shumti telashe janë pikërisht statistikat, shënimet e sakta për gjendjen e ekonomisë në Kosovë, ndër të tjera edhe përgjigjet për gjërat që i interesonin edhe gazetarit të ri amerikan, madje jo vetëm për pranverën e kaluar por për njëzet e pesë vjetët e fundit. Kësaj here si duket nuk do të kemi mundësi që të nxirremi me të dhëna të përafërta, por me shënime të bazuara në hulumtime dhe shënime të mbledhura nga ekspertë kosovarë. Si duket, nuk do të pranohen as arsyetime si “gjendja e jashtëzakonshme e masat e dhunshme”.

Tash e tutje, zyrtarëve qeveritarë do t’u duhet ta kafshojnë gjuhën sa herë që do të nisen t’iu referohen “të dhënave të besueshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar”. Qëmoti është dashur të kujtohen se Kosovës i duhet më shumë se një “ent i lodhtë statistikor” që publikon raporte me muaj të tërë vonese dhe nuk sheh asgjë të keqe në këtë punë. Duhet t’i përvishen punës dhe vetë të gjejnë mënyra që të numërojnë të vdekurit, ata që varrosen pa u diagnostikuar në mënyrë që të dhënat për mortalitetin të jenë të besueshme. Të ngushtojnë hendekun e përqindjes së ekonomisë joformale që tash sillet prej 30 deri në 50 për qind. Të masin më saktë shkallën e të papunëve, e këtë mund ta bëjnë vetëm duke zbuluar numrin e atyre që punojnë pa kontrata dhe të ndalojnë këtë dukuri. Të gjejnë të dhëna të sakta për numrin e bizneseve private dhe vlerën e tyre në treg. E ndër të tjera edhe t’i tregojnë gazetarit amerikan se çfarë rroge do t’i mjaftonte për të jetuar në Kosovë.

Syzana Bytyçi / Koha Ditore